Policia e Vlorës ka zbardhur vdekjen aksidentale të elektricistit të kompanisë CEZ, Rako Zaka, ngjarje kjo e ndodhur mëngjesin e djeshëm në hyrje të qytezës së Orikumit. Sipas burimeve zyrtare nga drejtoria e policisë së qytetit bregdetar, mësohet se është bërë ndalimi i 61-vjeçarit Dasho Zenelaj, banues në Vlorë, me profesion elektricist në Nënstacionin Elektrik në Radhimë.


Nga të njëjta burime mësohet se 61-vjeçari Zenelaj dyshohet se nuk ka zbatuar rregullat teknike gjatë orarit të punës duke lëshuar energji elektrike në linjën elektrike të Fidrit Nr. 3, linjë në të cilën ka qenë duke punuar 58-vjeçari Rako Zaka. Policia ka ngritur akuzën e vrasjes nga pakujdesia për 61-vjeçarin Zenelaj, ndërkohë që dosja i është përcjellë prokurorisë së rrethit për veprime të mëtejshme.


Ngjarja e rëndë ndodhi mëngjesin e djeshëm, teksa elektricisti Rako Zaka po punonte për riparimin e një defekti në zonën e Orikumit. Ai ka rënë në kontakt me rrymën elektrike dhe ka gjetur vdekjen brenda pak sekondash. Kolegët e tij kanë kërkuar ndihmën e policisë dhe zjarrfikëseve për zbritjen nga shtylla e trupit të pajetë.


21 nëntor 2012 (gazeta-Shqip.com)