Vdekja e 36-vjeçares shtatzënë Marjana Karolina Bunaj ka tronditur Pogradecin, ndërsa ngjarja tashmë është nën hetim. Gruaja, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, humbi jetën pasi u paraqit në maternitetin e Pogradecit në gjendje të rënduar shëndetësore.
Ngjarja ndodhi mbrëmjen e 30 gushtit 2026. Pas ekzaminimit nga mjekët e maternitetit, 36-vjeçarja u nis me autoambulancë drejt Tiranës, ku do të merrte trajtim më të specializuar.
Por gjatë transportit, gjendja e saj u përkeqësua dhe autoambulanca u detyrua të devijojë drejt maternitetit të Elbasanit. Pavarësisht përpjekjeve të mjekëve për ta shpëtuar, në spital u konstatua se gruaja kishte ndërruar jetë.
Pas ngjarjes, Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec kanë referuar materialet në Prokurori, duke nisur procedimin penal ndaj tre mjekëve që kishin ekzaminuar 36-vjeçaren.
Në hetim janë Blerta Delijan, 35 vjeçe, banuese në Elbasan, Anri Topi, 40 vjeç, dhe Saimir Çela, 34 vjeç, të dy banues në Pogradec. Të tre ushtronin detyrën e mjekut në maternitetin e Pogradecit.
Prokuroria pritet të zbardhë rrethanat e plota të ngjarjes dhe të përcaktojë nëse ka pasur apo jo përgjegjësi mjekësore në trajtimin e 36-vjeçares.
NJOFTIMI I POLICISE
Specialistët për Hetimin e Krimeve të Komisariatit të Policisë Pogradec referuan materialet në Prokurori ku nisi procedimi penal për shtetasit: B. D., 35 vjeçe, banues në Elbasan, A. T., 40 vjeç, dhe S. Ç., 34 vjeç, të dy banues në Pogradec, me detyrë mjekë në maternitetin e Pogradecit.
Mbrëmjen e datës 30.08.2026, është paraqitur në martenitetin e Pogradecit, në gjendje jo të mirë shëndetësore, shtetasja M. K., 36 vjeçe, 7 muajshe shtatzënë. Pas ekzaminimit nga këta tre mjekë, 36-vjeçarja është nisur me autoambulancë, për ndihmë mjekësore të specializuar në një maternitet në Tiranë, por duke qenë se gjendja e saj shëndetësore është përkeqësuar gjatë rrugës, ajo është dërguar në maternitetin e spitalit të Elbasanit, ku u konstatua se kishte humbur jetën.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Korçës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”.
