Një ngjarje e rëndë ka ndodhur ditën e djeshme në një subjekt minerar në Bulqizë, ku një punëtor humbi jetën tragjikisht gjatë punës në galeri. Viktima është identifikuar si F.V., 66 vjeç, i cili u përfshi nga një masiv shkëmbor që u shemb brenda nëntokës.

Policia ka ndërhyrë menjëherë në vendngjarje dhe ka vënë në pranga pesë anëtarë të stafit teknik të minierës, të cilët dyshohen se nuk kishin marrë masat e nevojshme për garantimin e kushteve të sigurisë në punë.

Të arrestuarit janë:

Njazi Përkola

Besnik Çupi

Ferit Truka

Ervis Kadiu

Edmond Xhafa

Sipas hetimeve paraprake, ngjarja ka ardhur si pasojë e neglizhencës në zbatimin e protokolleve të sigurisë, duke sjellë humbjen e jetës së 66-vjeçarit.

Njoftimi i policisë:

Bulqizë

Nuk morën masa për sigurimin e kushteve të mbrojtjes në subjektin minerar ku humbi jetën dje, shtetasi F.V., arrestohen 5 punonjës të stafit teknik.

Në vijim të veprimeve hetimore dhe operacionale të kryera me qëllim zbardhjen e përgjegjësive dhe rrethanave, në lidhje me ngjarjen e djeshme, të ndodhur në një subjekt minerar në Bulqizë, ku humbi jetën shtetasi F. V., 66 vjeç, dyshohet se si pasojë e rënies së një masivi shkëmbor, gjatë punës në galeri, shërbimet e Komisariatit të Policisë Bulqizë arrestuan në flagrancë shtetasit Nj. P., 46 vjeç, B. Ç., 68 vjeç, F. T., 61 vjeç, E. K., 35 vjeç dhe E. Xh., 51 vjeç, të gjithë punonjës të stafit teknik të subjektit minerar.

Nga hetimet e deritanishme rezulton se këta shtetas, me veprimet ose mosveprimet e tyre, nuk kanë marrë masat e duhura për garantimin e kushteve të sigurimit teknik të punës në subjektin minerar.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë së Dibrës, për veprime të mëtejshme, për veprën penale “Shkelja e rregullave të mbrojtjes në punë”, me pasojë vdekjen.