materniteti-koco-glozheniPolicia e Tiranës, me urdhër të prokurorisë, ka ndaluar dy mjekët e maternitetit ‘Koço Gliozheni’, Dritan Deçka dhe Elidon Klosi lidhur me ngjarjen e rënë ku humbi jetën një grua në muajin e nëntë të shtatzënisë së bashku me foshnjën e saj.


Ndërkohë, infermieria Nazmie Ceni është lënë e lirë pasi u mor në pyetje nga grupi hetimor. Ndaj dy mjekëve rëndon akuza e mjekimit të pakujdesshëm dhe neglizhencës, ndonëse Deçka dhe Klosi kanë pohuar fillimisht se kanë ndjekur protokollin mjekësor.


Më herët, ministri i Shëndetësise garanton se do të zbardhet e vërteta e funksionimit të sistemit.


“Rezulton që sistemi ka funksionuar. Mjekët dhe personeli mjekësor kanë qenë aty. Ekzaminimet janë kryer, qoftë imazherike, qoftë laboratorike, është transportuar me autoambulancë nga një spital në tjetërin me me personel mjekësor sepse situata ka qenë e komplikuar. Janë raste shumë të rralla me përqindje shumë të ulëta që ndodhin. Ajo ka patur një hemoragji nga një dëmtim në shpretkë. Ne si ministri përtej organeve të drejëtsisë jemi të angazhuar që të punojmë për të zbardhur deri në fund të vërtetën e funksionimit të sistemit”, deklaroi ministri i Shëndetësisë, Ilir Beqja.


Nëna Aida Cajka, 35 vjeçe, ishte shtatzënë në muajin e 9-të dhe humbi jetën bashkë me foshnjën në maternitetin “Koço Gliozheni” mëngjesin e 16 shtatorit, pas sorollatjeve të shumta nga njëri spital në tjetrin.


Familjarët e të ndjerës akuzuan shërbimin spitalor, mungesën e mjekëve dhe mos kryerjen e ekzaminimeve përkatëse. Ministria e Shëndetësisë në një deklaratë tha se 35 vjeçarja humbi jetën nga një hemorragji masive në regjionin e shpretkës.


Do të jetë mjekësia ligjore ajo që do të përcaktojë diagnozën përfundimtare dhe arsyet e çarjes së shpretkës.


17 shtator 2016 (gazeta-Shqip.com)