Kisha Ortodokse Autoqefale e Shqipërisë ka reaguar për ndarjen nga jeta të Papa Françeskut paraditen e sotme. Kisha shpreh ngushëllimet ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Romano-Katolike.
Në reagim thuhet se gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
Më tej vlerëson edhe përpjekjet e tij të sinqerta për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike.
POSTIMI I PLOTË:
Mbi fjetjen e Papa Françeskut
Duke marrë pjesë në hidhërimin për fjetjen e Papës së Romës, Françeskut, dëshirojmë të shprehim ngushëllimet tona ndaj klerit dhe besimtarëve të Kishës Romano-Katolike.
Gjatë misionit të tij si prift, peshkop dhe Papë, ai gjithmonë tregoi një përkushtim të thellë ndaj shpalljes së Ungjillit në kontekste të ndryshme gjeografike dhe kulturore, veçanërisht përmes kujdesit të tij të sinqertë për të varfërit dhe të margjinalizuarit.
Veçanërisht vlerësojmë përpjekjet e tij të sinqerta për të nxitur një mirëkuptim më të madh ndërmjet Kishës Orthodhokse dhe asaj Katolike. Sjellim ndër mend fjalët e tij gjatë takimeve me përfaqësuesit e Kishës Orthodhokse: “Ecim së bashku si vëllezër në rrugën e mëshirës dhe të dashurisë”.
Me shpresën tek Krishti i Ngjallur i Cili: “…do të fshijë çdo lot nga sytë e tyre dhe nuk do të ketë më as vdekje, as zi, as vajtim, as dhimbje, sepse bota e mëparshme mori fund” (Zb. 21:4), lutemi që Zoti ynë, Ati i mëshirshëm, t’i japë prehje shpirtit të tij. I përjetshëm kujtimi!
Papa Françesku ka ndërruar jetë ditën e sotme në moshën 88-vjeçare. Papa, i cili ishte peshkop i Romës dhe kreu i Kishës Katolike, u bë Papë në vitin 2013 pasi paraardhësi i tij Benedikti XVI dha dorëheqjen. Vdekja e tij u njoftua nga kardinali Kevin Farrell në një deklaratë të lëshuar nga Vatikani, ku thuhej se Ati i Shenjtë ka ndërruar jetë mëngjesin e ditës së sotme. Në deklaratën që u lexua nga kardinali Kevin Farrell thuhet se e gjithë jeta e Papës iu kushtua shërbimit të Zotit dhe Kishës së Tij.
Ati i Shenjtë ishte i pari papë nga Amerika e Jugut dhe njëkohësisht i pari papë Jezuit. Kohët e fundit shëndeti i tij u përkeqësua shumë si pasojë e pneumonisë, sëmundje që shënjoi jetën e tij që në moshën 21-vjecare, ku si pasojë e pneumonisë, ai iu nënshtrua një ndërhyrjeje kirurgjikale, ku ju hoq pjesa e sipërme e mushkërisë së djathtë. Gjatë Papatit, Françesku ndërmori një sërë reformash, ndër to edhe Kodin Penal të Vatikanit, ku përafroi dënimet me ato të ligjeve ndërkombëtare.
