Komiteti shqiptar i Helsinkit ka reaguar pas vdekjes së 29-vjeçarit Pëllumb Marnikollaj në një komisariat në Greqi.
Në një deklaratë të shpërndarë për mediat, KSHH bën me dije se në rastet e vdekjeve të ndodhura në burgje, autoritetet janë të detyruara të kryejnë hetime, gjë që nuk ka ndodhur në rastin e 29-vjeçarit shqiptar, i cili ka ndërruar jetë që më 3 gusht.
KSHH kërkon nga autoritet që të kryejnë hetime të paanshme dhe të pavarura lidhur me këtë rast.
Sipas KSHH, ka dyshime se ndaj 29-vjeçarit është ushtruar dhunë deri në vdekje
“Është e patolerueshme dhe e dhimbshme që vetë familjarët e viktimës, mbas kërkimeve të shumta dhe të vështira, e gjetën trupin e tij në frigoriferin e varrezës “Agio-Anargiro “. Si mund të cilësohet “pa identitet” personi ndaj të cilit është urdhëruar me vendim ‘detyrim paraqitje në organet e policisë’?!
Si mund të shpjegohet fakti që autoritetet greke njoftojnë mbi ngjarjen Ambasadën tonë në Athinë vetëm kur kjo e fundit kërkon sqarime, kur Ambasada jonë duhej njoftuar menjëherë kur dihej se viktima ishte shtetas shqiptar?! Për KShH-në, edhe vetë njoftimi është i cekët dhe jo bindës”, thuhet në reagim.
16 gusht 2016 (gazeta-Shqip.com)