Detaje të tjera janë bërë publike lidhur me vdekjen misterioze të 19-vjeçares Myrto në ishullin Kefalonia.
Një 23-vjeçar, i cili deklaron se identifikohet si grua trans dhe përdor emrin “Olivia”, ka dhënë dëshminë e tij nga burgu për atë që, sipas tij, ndodhi në dhomën nr. 10 të një strukture akomodimi në Argostoli, ku e reja u gjet pa shenja jete.
Në një intervistë për “Star Tv”, ai tregoi se njohja me Myrton kishte nisur rreth një muaj e gjysmë më parë, gjatë një ceremonie martesore në Argostoli. Që prej asaj kohe, sipas tij, ata kishin ruajtur kontakte në formë miqësie dhe ishin takuar disa herë për kafe apo dalje.
Ai shpjegoi gjithashtu se jetonte në Athinë dhe kishte shkuar në Kefaloni për festat e Pashkës, periudhë gjatë së cilës u takua disa herë me 19-vjeçaren.
23-vjeçari mohoi kategorikisht pretendimet e familjarëve të vajzës për përfshirje në aktivitete të paligjshme, duke theksuar se nuk kishte lidhje me rrjete droge apo organizata kriminale.
Në vijim, ai pretendoi se kishte dorëzuar përmes avokatit të tij materiale që, sipas tij, tregonin se Myrto kishte aktivitet në platformën OnlyFans. Sipas tij, këto të dhëna ishin siguruar nga motra e tij.
Ai përmendi edhe një person tjetër, një burrë 66-vjeçar, që sipas tij kishte dërguar para dhe kishte komunikuar me ta përmes video-thirrjeve. Sipas deklaratës së tij, Myrto kishte pasur kontakte të mëparshme me këtë person dhe madje kishin planifikuar të udhëtonin së bashku në të ardhmen.
Sa i përket natës së ngjarjes, 23-vjeçari rrëfeu se pasi kishin marrë një shumë parash, ishin drejtuar në dhomën e akomodimit. Ai shtoi se kishin konsumuar alkool dhe se kishte përdorur substanca narkotike, duke kërkuar që kjo të verifikohet përmes analizave toksikologjike.
Sipas tij, në dhomë ndodheshin edhe persona të tjerë, përfshirë një çift në dhomën ngjitur, të cilët mund të kenë pasur kontakte me grupin atë natë.
Ai deklaroi se kur gjendja e Myrtos u përkeqësua, ishte ai që kishte telefonuar ambulancën, ndërsa një tjetër person kishte dhënë adresën e saktë të vendndodhjes.
Pas kësaj, sipas tij, disa nga të pranishmit u larguan, ndërsa ai qëndroi për pak kohë në dhomë. Ai shpjegoi edhe për një qese të zezë që mbante me vete, duke thënë se aty kishte sende personale si paruke, rroba dhe shishe pijesh, të cilat më pas i hodhi në një kosh mbeturinash, pa mbajtur mend vendndodhjen e saktë.
Në fund, ai shtoi se kishte dorëzuar disa objekte të tjera tek autoritetet, ndër to edhe qerpikë artificialë, si pjesë e materialeve që, sipas tij, mund të ndihmojnë në hetim.
