Një ngjarje e rëndë ka tronditur Tepelenën, ku biznesmeni italian, Edoardo Sarchi, 44 vjeç, u gjet i vrarë me armë zjarri në fshatin Salari.

Sarchi nuk ishte një figurë e panjohur për Shqipërinë dhe Italinë. Ai jetonte prej dy dekadash në vendin tonë, ku mbante postin e administratorit të një fabrike të madhe tullash në Tiranë. Por rrënjët e tij lidhen ngushtë edhe me politikën dhe sipërmarrjen italiane.

Familja e tij ka një histori të gjatë në jetën publike. Babai i tij, Vittorio Sarchi i ndarë nga jeta në vitin 2022 ishte një figurë me peshë në politikën lokale të provincës së Varese-s, mik i senatorit të njohur Piero Pellicini dhe bashkëpunëtor i ngushtë i deputetit Andrea Pellicini. Ai mbajti disa funksione publike, përfshirë atë të këshilltarit për sigurinë dhe këshilltarit bashkiak.

Nga ana tjetër, xhaxhai i tij, Augusto Nidoli, ishte themelues i kompanisë italo-shqiptare Edilcentro Ltd, e cila hapi degën në Shqipëri. Edoardo kishte ndjekur gjurmët e familjes, duke marrë drejtimin ekzekutiv të kësaj fabrike. Aktualisht, drejtimin e Edilcentro-s e mbajnë kushërinjtë e tij: Antonio Nidoli, kryetar i Bordit të Drejtorëve dhe president i Dhomës Italiane të Tregtisë në Shqipëri, si dhe Edoardo Nidoli në menaxhimin operativ.

Tronditja ka qenë e madhe edhe në komunitetin italian. Paolo Sartorio, nënkryetar i bashkisë Cunardo, tha për mediat:
“Një familje punëtorësh dhe sipërmarrësish të aftë. Askush nuk mund ta kuptojë se çfarë ndodhi. Edoardo kishte ndjekur gjurmët e xhaxhallarëve dhe kushërinjve të tij dhe ishte bërë qytetar i botës.”

Policia shqiptare po vijon hetimet për zbardhjen e rrethanave të vrasjes dhe identifikimin e autorëve.