Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale ka reaguar pas ndarjes nga jeta të 37-vjeçares Marjana Karolina Bunaj, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë dhe humbi jetën teksa po transportohej drejt Tiranës për të marrë ndihmë të specializuar mjekësore.
Përmes një deklarate për shtyp, Ministri bën me dije se ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të mënyrës se si është menaxhuar rasti. Po ashtu, ministria thekson se nëse gjatë vlerësimit evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit të nënës shtatzënë, do të merren masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale.
Deklarata e plotë:
Ministria e Shëndetësisë dhe Mirëqenies Sociale shpreh keqardhjen e thellë për humbjen e jetës së pacientes M.K. dhe i përcjell familjes dhe të afërmve ngushëllimet më të sinqerta. Në respekt të familjes dhe në këtë moment të dhimbshëm, MSHMS po ndjek me përgjegjshmëri të plotë të gjitha hapat që lidhen me trajtimin dhe menaxhimin e këtij rasti.
Ministria ka kërkuar kryerjen e një vlerësimi të plotë dhe të pavarur të menaxhimit të rastit, me qëllim vlerësimin profesional dhe të paanshëm të të gjithë procesit të kujdesit shëndetësor, nga paraqitja e pacientes deri në përfundimin e trajtimit. Angazhimi ynë është i plotë për të garantuar transparencë dhe përgjegjshmëri. Çdo gjetje mbi vlerësimin e menaxhimit të rastit do të analizohet me seriozitetin maksimal dhe, nëse evidentohen parregullsi apo mangësi në ndjekjen e rastit, do të merren të gjitha masat e nevojshme, në përputhje me ligjin dhe standardet profesionale. Siguria e nënës dhe garantimi i kujdesit obstetrikal në kohë, me cilësi dhe në përputhje me standardet e përcaktuara, janë përgjegjësi të panegociueshme të sistemit shëndetësor.
