Kryeministri dhe kreu i Partisë Socialiste, Edi Rama, ka zhvilluar një takim elektoral përmbyllës këtë të mërkurë në Fushë-Krujë, ku prezantoi arritjet e qeverisë dhe sfidat që e presin Shqipërinë në rrugën drejt BE-së 2030.

Teksa mbante fjalimin përballë mbështetësve të tij, një qytetar që kalonte afër vendit ku po zhvillohej takimi, i drejtoi thirrjen “Rama ik”, një shprehje tashmë e njohur në diskursin opozitar.

Por Rama reagoi me ironi dhe humor, duke e kthyer episodin në një batutë që shkaktoi të qeshura në sallë:

“Amon, a vdeksha unë për ty, se po e pritsha, rrofsh që kalove o hudhër. Po e pritsha, thashë në Krujë duhet patjetër të dëgjoj një ‘Rama ik’, që të flasë syri i keq. Dhe ku e tha, sa përmenda kënetën, doli bretkosa, a vdeksha unë për ty.”

Momenti u shpërnda menjëherë në rrjetet sociale dhe mediat online, ku komentuesit kanë reaguar me përzierje humori, sarkazme dhe kritika.

Rama vijon takimet përmbyllëse në disa qytete të vendit, në prag të zgjedhjeve parlamentare, ndërsa PS thekson platformën e saj për anëtarësimin e plotë të Shqipërisë në Bashkimin Europian deri në vitin 2030.