Detaje të reja janë zbardhur në lidhje me ngjarjen e rëndë të ndodhur në Elbasan, ku një turist italian u gjet i vdekur brenda dhomës së hotelit ku po qëndronte.

Mësohet se 63-vjeçari ndodhej në një hotel në Tregan, së bashku me bashkëshorten e tij.  Çifti ndodhej aty prej disa ditësh pasi frekuentonin llixhat kurative.

Sot kur ishte bërë gati për të dalë së bashku me bashkëshorten për të zbritur në restorantin e hotelit për të konsumuar mëngjesin, 63-vjeçari kishte thënë se nuk ndjehej mirë. Menjëherë është njoftuar mjeku i qendrës kurative dhe autoambulanca, por ka ndërruar jetë në krahët e bashkëshortes. Paraprakisht dyshohet se shkak i vdekjes së tij mund të ketë qenë ataku kardiak.