Detaje tronditëse janë zbardhur nga ngjarja e rëndë në familjen shqiptare Nakoleci, ku 40-vjeçari Pandeli Nakoleci i mori jetën bashkëshortes së tij, 36-vjeçares Mariola, në prani të fëmijëve.
Sipas mediave greke, mëngjesin e krimit, çifti ishte përfshirë në një konflikt të ashpër, të cilin e kanë dëshmuar edhe fëmijët e mitur. Në gjaknxehtësi, burri e goditi të shoqen me një mjet prerës të përdorur zakonisht në kuzhinë, duke e lënë të plagosur rëndë.
E lënduara arriti të dilte deri tek hyrja kryesore e pallatit, por aty u rrëzua pa ndjenja. Djali 13-vjeçar tentoi të ndalonte të atin duke iu hedhur në qafë nga pas, ndërsa vajza 16-vjeçare u gjend pranë së ëmës në momentet e fundit të jetës, duke e mbajtur në prehrin e saj.
Ngjarja ka lënë pasoja të rënda emocionale tek fëmijët. Vajza më e madhe, 18 vjeç, deklaroi: “Për mua edhe ai vdiq”, duke mohuar ekzistencën e të atit pas tragjedisë.
Autori i krimit do të dalë para gjykatës këtë të martë, në orën 11:00, ku do të njihet me masën e sigurisë. Ai akuzohet për “vrasje me dashje” në rrethana të dhunës në familje.
