Familjarët dhe të afërmit e Marjana Karolina Bunajt i japin sot lamtumirën e fundit 37-vjeçares, e cila humbi jetën tragjikisht mbrëmjen e 30 gushtit, teksa po transportohej me ambulancë për ndihmë të specializuar mjekësore.

E ndjera, e cila ishte në muajin e shtatë të shtatzënisë, do të përcillet për në banesën e fundit në Laç, vendlindjen e saj. Miq, të afërm dhe familjarë janë mbledhur për ta shoqëruar në ceremoninë mortore.

Ngjarja e rëndë nisi në maternitetin e Pogradecit, ku 37-vjeçarja u paraqit për shkak të gjendjes së saj shëndetësore. Pas ekzaminimeve të kryera nga mjekët, u vendos që ajo të transportohej drejt Tiranës, me qëllim marrjen e një trajtimi më të specializuar.

Por gjatë rrugës drejt kryeqytetit, gjendja e saj u rëndua. Ambulanca ndryshoi itinerar dhe u drejtua për në maternitetin e Elbasanit, ku mjekët ndërhynë për t’i dhënë ndihmën e nevojshme. Pavarësisht përpjekjeve, 37-vjeçarja nuk mundi të mbijetojë dhe u konstatua e vdekur në spital.

Pas ngjarjes, policia referoi materialet hetimore në Prokurori. Në kuadër të hetimit është regjistruar procedim penal ndaj tre mjekëve të maternitetit të Pogradecit, të cilët kishin ekzaminuar gruan përpara nisjes së saj me ambulancë.

Mjekët po hetohen për veprën penale “Neglizhenca në trajtimin mjekësor”. Ndërkohë, Prokuroria e Korçës vijon hetimet për të përcaktuar nëse ka pasur mangësi apo përgjegjësi në trajtimin e 37-vjeçares dhe për të zbardhur të gjitha rrethanat që çuan në vdekjen e saj.