Deputetja Monika Kryemadhi është paraqitur paraditen e sotme në SPAK, për zbatimin e masës së sigurisë “detyrim paraqitje”.
Pas daljes nga SPAK, Kryemadhi u pyet në lidhje me propozimin e hedhur nga ish-kryeministri Sali Berisha, për shkrirjen e institucionit të Prokurorisë së Posaçëm. Për këtë, tërthorazi, Kryemadhi shprehu dakordësinë e saj duke thënë se tashëm SPAK është kthyer në një vegël shantazhi.
“Të jemi të sinqertë, po të them tani duhej të shkrihet SPAK do thonë që është për shkak të problemeve të veta që ka. Por çdo institucion kur kthehet në vegël shantazhimi dhe linçimi ndaj politikanëve e kryesisht ndaj opozitës, ka dështuar. SPAK nuk është krijuar për luftë politike, por për strukturat kriminale.”- tha ajo.
Kujtojmë se GJKKO ka caktuar ndaj Monika Kryemadhit masës e sigurisë detyrim paraqitje, pasi po hetohet nga SPAK për tre akuza pastrim parash, korrupsion dhe mosdeklarim pasurish në lidhje me dosjen e CEZ DIA dhe lobimin e LSI-së në SHBA.
Po për këtë dosje po hetohet bashkëshorti i saj, Ilir Meta, me të cilin është në proces divorci. Aktualisht Ilir Meta ndodhet në qeli, pasi ndaj tij është caktuar masa e sigurisë “arrest me burg”.