Skema e pensioneve
Pension më të lartë për të vetëpunësuarit që paguajnë më shumë
Në vitin 2018, një pensionist në fshat do të paguhet me të njëjtën shumë parash që do të marrë një person i moshës së tretë në qytet. “Në vitin 2018, skema rurale do të integrohet me atë urbane në një skemë të vetme kombëtare. Por, kemi vetëm 100 ditë kohë deri në 1 janar 2015 për të punuar fort për rritjen e numrit të kontribuuesve në skemë. Prandaj, secili prej jush do të ketë si kusht për rinovimin e kontratës, rritjen e numrit të kontribuuesve në skemë”, tha ministri i Mirëqenies Sociale, Erion Veliaj. Gjatë një mbledhje të mbajtur dje me inspektorët e të vetëpunësuarve në bujqësi, Veliaj e vuri theksin te shpjegimi i ndryshimeve që do të sjellë zbatimi i skemës së re të pensioneve, pas 4 vjetësh. Një nga synimet e ministrit të Mirëqenies, njëherësh një prej porosive që u la inspektorëve është rritja e numrit të kontribuuesve në skemën e fshatit si edhe komunikim të vazhdueshëm me banorët për të kuptuar përfitimet që do të kenë nëse do të bëhen pjesë e kësaj skeme, në të ardhmen.
Veliaj ritheksoi se reforma e pensioneve do të sjellë ndryshime rrënjësore edhe në skemën e fshatit, nga e cila të vetëpunësuarit në bujqësi do të përfitojnë pensione më të larta, por kjo vetëm për ata që kontribuojnë më shumë dhe për sa më shumë vite.
Lidhur me shtimin e numrit të kontribuuesve në skemën e fshatit, Veliaj u premtoi inspektorëve rajonalë, që për çdo të siguruar që do të futet në skemën e kontributeve, do të përfitojnë një bonus. Shpërblim që do t’u jepet për shkak të informacionit që do t’u japin të vetëpunësuarve në bujqësi lidhur me zbatimin e skemës së re të pensioneve, por edhe për faktin që kanë arritur që t’i bindin ata që të paguajnë aq para sa do të dëshironin të përfitonin në të ardhmen. “Për sa i përket numrit të kontribuuesve në skemën rurale, këtë vit kanë derdhur kontribute vetëm 33 mijë persona. Kjo është një shifër jashtëzakonisht e ulët, po të kemi parasysh se gjysma e popullsisë në Shqipëri jeton në fshat”, u shpreh ministri Veliaj. Sipas tij, ky problem bëhet edhe më shqetësues kur merret në konsideratë fakti se ka rënë ndjeshëm përfshirja e kontribuuesve të rinj në skemë. “Ju duhet të bëni një punë intensive me fermerët, t’u shpjegoni atyre skemën e sigurimeve dhe rëndësinë që ka kjo skemë për ta. Ju duhet t’i bindni ata që të sigurohen, si dhe t’u përgjigjeni të gjitha pyetjeve që ata kanë për sa u përket pensioneve”, shtoi ministri i Mirëqenies Sociale. Sipas tij, inspektorët duhet t’u bëjnë të qartë banorëve të zonave që mbulojnë se skema e re do t’i shpërblejë me pensione më të larta nëse vazhdojnë të paguajnë kontributet. “Nga 1 janari 2015 nuk do të ketë më diferencë mes pensionit të fshatit dhe pensionit të qytetit dhe ata duhet të vazhdojnë të derdhin kontribute, sepse kjo do t’ju përkthehet në një pension më të lartë”, shtoi Veliaj.