Veliaj te kopshti nr. 8 (1)Tiranës i është shtuar edhe një kopsht tjetër i rikonstruktuar, i cili pas ndërhyrjes së Bashkisë së Tiranës do të mirëpresë 200 fëmijë çdo ditë.


Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, përuroi ambientet e reja të kopshtit “Bambi” në njësinë administrative Nr. 10, duke vlerësuar punën e mirë për fëmijët.


“Kemi një kopsht me dyfishin e kapacitetit, i cili shkon nga 100 në 200 vende. Gjithashtu, kemi një fluks të jashtëzakonshëm kërkesash nga prindërit për të sjellë fëmijët e tyre në kopshte publike, sepse janë më të lira dhe me cilësi më të mira si në ushqim, ashtu edhe në kujdestari dhe infrastrukturë”, tha kryebashkiaku Veliaj, i cili shtoi se kopshtet nuk do të mbyllen as gjatë muajve të verës.


“Lajmi i dytë i mirë është se pas disa vitesh, praktika e vendosur jo zyrtarisht në bashki që i mbyllte kopshtet gjatë muajit gusht, merr fund këtë verë. Pra, në qytetin e Tiranës kopshtet dhe çerdhet nuk do të mbyllen gjatë muajit gusht, në mënyrë që prindërit që i kanë bërë pushimet ose nuk kanë pasur mundësi t’i marrin ato, të kenë një hapësirë ku të lenë fëmijët edhe gjatë këtij muaji”, deklaroi Veliaj.


Veliaj kërkoi mirëkuptimin e prindërve që kanë shtuar kërkesat për më shumë kopshte e çerdhe, ndërsa shprehu besimin se në vitet në vijim hapësirat do të shtohen, për të akomoduar më shumë fëmijë. Ai sqaroi gjithashtu se çdo leje e re ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një institucioni social apo arsimor.


“Me planin e ri vendor Bashkia e Tiranës do të aplikojë politikën se çdo leje ndërtimi do të kushtëzohet me ndërtimin e një kopshti, një çerdhe ose një shkolle, sepse është e vetmja mënyrë që teksa Tirana urbanizohet, krijojmë më shumë mundësi për ata që zgjedhin të jetojnë në Tiranë”, shpjegoi Veliaj.


22 korrik 2016 (gazeta-Shqip.com)