GJKKO ka rrëzuar kërkesat e kryetarit të bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i cili donte që t’i krijoheshin kushte për t’u njohur me aktet e dosjes.
Kryetari i bashkisë kërkoi një pajisje teknologjike në burg ose të lejohej çdo ditë që të vinte në gjykatë për të studiuar dosjen, por këto u refuzuan. Erion Veliaj ka kërkuar vënien e plotë dhe të menjëhershme në dispozicion të akteve të dosjes në një formë të lexueshme dhe të aksesueshme, që siç shprehet ai “më mundëson të jem realisht i informuar për akuzën dhe të kem kohën e nevojshme për përgatitjen e mbrojtjes sime”.
Kryebashkiaku kërkon shtyrjen e procedurës, derisa “kjo e drejtë elementare, e drejta për t’u mbrojtur, të më garantohet në mënyrë të plotë dhe efektive. Asnjë proces i drejtë nuk mund të vazhdojë pa respektuar këto tre kushte minimale”.
Veliaj ka deklaruar se nëse kërkesat e tij nuk pranohen, atëherë ai thotë se po përjashtohet nga ky proces gjyqësor, që siç deklaron kryebashkiaku “një proces i cili as nuk është nisur nga unë dhe as nuk ka ardhur me iniciativën time. Unë jam thirrur nga kjo gjykatë të marr pjesë në një procedim penal”.
“Nëse nuk më garantohet e drejta për t’u mbrojtur dhe nëse nuk trajtohem me dinjitetin që i takon çdo qytetari të këtij vendi, çdo qytetari që beson në standardet evropiane të procesit të drejtë, atëherë më keni treguar ‘derën’ në mënyrë më cinike të mundshme. Në atë moment, gjykata e ka konsideruar prezencën time dhe pjesëmarrjen time jo të panevojshme, por të pakuptimtë, sepse nuk mund të ketë pjesëmarrje reale aty ku mungon mbrojtja reale”-, deklaron Erion Veliaj.




