Avokati Gentian Rumano i ftuar në “Top Story” nga Grida Duma komentoi mbledhjen e këshillit bashkiak të Tiranës që do të mbahet nesër për shkarkimin e Erion Veliajt.
Avokati tha se kryetari gëzon të drejtën që të jetë prezent në mbledhje dhe këshilli bashkiak duhet të sigurohet që kryetari të paraqitet dhe nëse procedura nuk zbatohet atëherë avokatët e zotit Veliaj mund t’i drejtohen Gjykatës Kushtetuese.
“Mund të paraqitet kërkesë për shkarkimin e kryetarit pikërisht për ato tre pika që paraqet neni. Shkaku kryesor është fakti që nuk është paraqitur për më shumë se 3 muaj, shkak i cili nuk është i kontrollueshëm nga Veliaj sepse është ndaluar nga gjykata. Nuk kemi një dënim të formës së prerë, nuk kemi mosparaqitje të vullnetshme. Nesër mund të shkarkohet kryetari i bashkisë, por për këtë shkak që nuk është në vullnetin e Veliajt, ka hapësire ligjore për kundërshtim nga avokatët e tij.
Këshilli bashkiak duhet të marrë masat që zoti Veliaj të jetë prezent, duke njoftuar drejtorinë e Burgjeve që zoti Veliaj të shoqërohet dhe të paraqitet në mbledhje. Në mungesë ai mund të gjykohet nëse ai shpreh vullnetin për mos tu paraqitur. Kemi dy raste që shoqërimi është bërë nga Drejtoria e Burgjeve, rastin e Ilir Beqës dhe rastin e Sali Berishës.
Nëse Veliaj kërkon të ankimojë vendimin e këshillit bashkiak për shkarkim, ai mund ti drejtohet gjykatës kushtetuese. Vendimmarrja nga këshilli mund të jetë politik, por mos zbatimi i procedurës nga këshilli është ligjore. Nëse nuk paraqitet zoti Veliaj, gjykata Kushtetuese mund të rrëzojë vendimmarrjen e këshillit.”
Top Channel