Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka komentuar ankimimin e ish-kryebashkiakut Erion Veliaj në Gjykatën Kushtetuese, duke e konsideruar atë si një refuzim të ofertës së kryeministrit Edi Rama për të pranuar vendimin e shkarkimit pa kundërshtim.
Në një konferencë për media, Berisha deklaroi se Veliaj nuk ka pranuar të lejojë që vendimi për shkarkimin të mbetet në fuqi, duke shtuar se sipas tij, kjo kërkesë i ishte bërë edhe nga ish-kryebashkiaku i Durrësit, Vangjush Dako, gjatë kohës që ndodhej në burg.
“Edi Rama, pasi i futi Gjushin në qeli dhe bëri çdo përpjekje për të negociuar me Veliajn që të pranojë shkarkimin dhe të mos i drejtohet Kushtetueses, duket se ka dështuar. Veliaj nuk pranoi marrëveshjen dhe i kërkoi avokatëve të ndjekin rrugën ligjore në Kushtetuese,” tha Berisha.
Ai paralajmëroi gjithashtu se pavarësisht vazhdimit të betejës ligjore, Presidenti Bajram Begaj pritet që sot, pasditen e kësaj të hëne, të firmosë dekretin për datën e zgjedhjeve të pjesshme lokale në Tiranë.
“Prisni nga ora 13:00, kur kukulla e Ramës në Presidencë do të firmosë datën e zgjedhjeve,” shtoi Berisha, duke e konsideruar këtë një hap të pashmangshëm në rrugën politike që po ndjek pushteti aktual.