Ka qenë i menjëhershëm reagimi i kryetarit të Bashkisë së Tiranës ndaj rastit të trajtuar sot në median sociale dhe online lidhur me një të moshuar që është gjobitur nga policia bashkiake për tregtim të produkteve bujqësore në trotuar. Veliaj sapo është njohur me këtë rast ka bërë vet personalisht pagesën e kësaj gjobe pranë zyrave të tatimeve.
“Kryetari i Bashkisë së Tiranës ka vendosur që ta shlyejë ai gjobën prej 500 lekësh, që Policia Bashkiake vendosi sot ndaj gruas së moshuar”, – thuhet në reagimin e Bashkisë së Tiranës lidhur me këtë çështje dhe gjithë problematikën e tregtimit nëpër rrugët e Tiranës. Më tej në këtë deklaratë sqarohet se për rastin në fjalë kanë qenë vet banorët e pallatit ata që kanë denoncuar pranë Policisë Bashkiake problematikën e shkaktuar prej shitësve ambulant në hyrjen e pallatit të tyre.
“Lidhur me rastin e gruas së moshuar, e cila u gjobit sot nga Policia Bashkiake për tregtim të produkteve ushqimore në trotuar, duke bllokuar hyrjen e shkallëve të një pallati, Bashkia e Tiranës dëshiron të informojë opinionin publik se rasti në fjalë ishte denoncuar nga vetë banorët e pallatit, të cilët kërkonin lirimin e hapësirës nga shitësit që tregtonin prej kohësh produktet e tyre ushqimore aty, edhe pse vetëm pak metra më tutje ndodhet tregu i Njësisë Administrative nr.10, i cili aktualisht është bosh”, thuhet më tej në këtë deklaratë.
Më tej Bashkia gjen rastin që t’u bëjë edhe një herë thirrje tregtarëve që vijnë nga jashtë Tiranës, që për të tregtuar produktet e tyre të shfrytëzojnë një nga 16 tregjet ekzistuese të bashkisë. “Bashkia e Tiranës po punon çdo ditë për krijimin e më shumë tregjeve me standarde në higjienë e infrastrukturë, në mënyrë që askush të mos detyrohet të shesë më nëpër rrugët e trotuaret e qytetit. Për këtë arsye, Bashkia e Tiranës do të përurojë nesër tregun e parë të këtij lloji në Njësinë Administrative nr. 3, si dhe po publikon edhe hartën e 16 tregjeve (bashkëlidhur) që ndodhen në gjithë qytetin e Tiranës”, – thuhet në këtë deklaratë.
11 mars 2016 (gazeta-Shqip.com)