 Pas investimeve që sollën transformimin e gjithë zonës së Fushës së Aviacionit në Njësinë 7, Bashkia e Tiranës ka nisur edhe rikonstruksionin e plotë të shkollës 9-vjeçare “Dhora Leka”, për t’i dhënë gjithë këtij komuniteti të njëjtat standarde jetese, njësoj si në qendër të qytetit. Ditën e djeshme, kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, i shoqëruar nga deputetja e PS, Vasilika Hysi, inspektuan nisjen e punimeve për rikonstruksionin e shkollës. Ata vlerësuan se falë këtij investimi kompletohen ndërhyrjet në infrastrukturën arsimore të kësaj zone.

Kryebashkiaku Veliaj theksoi se ky është investimi i radhës në këtë zonë, e cila në një kohë fare të shkurtër ka përfituar disa projekte shumë të rëndësishme, si në infrastrukturën urbane, ashtu edhe në atë sociale dhe sportive.
“Jam shumë i lumtur që rikthehem për të disatën herë këtu. Shumë njerëz mund të thonë: Ç’domethënë të rikthehesh disa herë në të njëjtin vend? Herën e parë erdhëm për çerdhen, e cila ishte komplet e degraduar, pastaj me projektin “Adopto një çerdhe” e transformuam. Herën e dytë erdhëm për kopshtin. Herën e 3-të për lulishten. Herën e 4-rt për ujësjellësin. Herën e 5-të për rehabilitimin e zonës së “Doganës”. Herën e 6-të për këndin sportiv me Lorik Canën. Herën e 7-të për të gjitha instalimet që duhet të bëjmë te “Parku 1 KM”. Herën e 8-të për stacionin e autobusit, i cili e solli edhe këtë zonë si pjesë të qytetit dhe jo një periferi xhep edhe e veçuar. Herën e 9-të, pra sot për shkollën “Dhora Leka”. Do të vazhdojmë të rikthehemi për të investuar në infrastrukturën që i jep vlerë këtij komuniteti”, u shpreh Veliaj.
Ai theksoi faktin se falë këtij investimi kësaj shkolle do t’i shtohen ambientet sportive, ndërkohë do t’i jepet fund edhe problemit me të ftohtin në dimër, problem që do të marrë zgjidhje edhe në shumë shkolla të tjera të Tiranës që këtë vit. “Është një shkollë që nuk ka pasur ngrohje, një fenomen i trashëguar në shumë prej shkollave, por fatmirësisht shumica prej tyre do ta kenë ngrohjen këtë dimër. Për herë të parë shkolla do të ketë një palestër, është një ambient fantastik. Gjithë zinxhiri i shërbimeve, çerdhe-kopësht-shkollë është shumë pranë njëri-tjetrit për komunitetin, ndaj besoj se strategjia jonë për të ndërtuar më shumë kënde lodrash, kënde sportive, palestra për të larguar të rinjtë nga bingot, bastet dhe kafenetë, është një strategji që po funksionon”, theksoi Veliaj.
Kryebashkiaku tha se edhe vendimi për t’i shtuar kësaj shkolle një palestër moderne, tregon më së miri se Bashkia e Tiranës është e vendosur për të fituar betejën me kafenetë dhe llotot, duke i kthyer kryesisht të rinjtë te sporti dhe jeta e shëndetshme. “Është hera e parë që në qytetin e Tiranës është ulur numri i kafeneve që regjistrohen të reja çdo vit, është rritur numri i terreneve sportive që hapen çdo vit. Nëse vazhdojmë me këtë ritëm, do ta fitojmë edhe betejën kundër obezitetit, kryesisht jo të çështjeve të shëndetit fizik sesa të mentalitetit”, tha Veliaj.
29 shtator 2017 (gazeta-Shqip.com)