Veliaj ne konferencen IPA Adriatic“Më pak seminare, më shumë punë për qytetarët”


Bashkia e Tiranës i bashkohet nismës së Presidencës së Eurorajonit Adriatiko-Jonian për luftën kundër abuzimit dhe korrupsionit me fondet e Bashkimit Europian nga qeverisja vendore, si e vetmja mënyrë për të rritur besueshmërinë e qytetarëve dhe për të përfituar sa më shumë nga fondet e donatorëve të ndryshëm. Kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj, mori pjesë në konferencën me temë: “Parandalimi dhe lufta kundër parregullsive financiare dhe mashtrimeve”, ku u shpreh: “Përveçse të tregohemi të disiplinuar me mënyrën se si përdoren fondet, ky është një moment i mirë reflektimi për projekte që kanë duk dhe që ofrojnë një rezultat konkret në një botë që është bërë gjithmonë e më shumë dyshuese mbi vlerën që kanë investime të tilla në rajonin tonë”. Veliaj bëri të ditur se Bashkia e Tiranës, pavarësisht kohës shumë të shkurtër, është përpjekur të ndërtojë një marrëdhënie të re e shumë më efikase me komunitetin e donatorëve. Sipas tij, në njërën anë, është punuar për të rritur kapacitetet menaxhuese e administrative, e në anën tjetër janë bërë përpjekje për të ndërtuar një marrëdhënie sa më transparente. “Është më e dobishme që me fondet e reja IPA të ndërtojmë vetë kapacitetet në nivel qarku, në nivel bashkie, në nivel ministrish, se si mund t’i aksesojmë këto fonde dhe të kemi sa më pak firo në ato që quhen shpenzime administrative dhe sa më shumë financa në projekte konkrete, të cilat nesër do të jenë kartolina më e bukur për qytetin, falë fondeve të Bashkimit Europian”, theksoi kryetari i Bashkisë. Veliaj theksoi se ka ardhur koha që të bëhet më shumë punë në ndryshimin e realiteteve dhe efikasitetin e përdorimit të këtyre fondeve, se sa në përdorimin e këtyre parave në edukimin apo shkrimin e projekteve.


“Ka më shumë organizata se 100 familje rome, që në fakt paguhen nga Bashkimi Europian për të mbrojtur kauzat e këtij komuniteti. Por, ndonjëherë më rezulton se ka më shumë interes që kauzat dhe krizat të vazhdojnë, që të justifikohen projektet dhe konsulencat pa fund. Sa paguhen para për konsulenca mund të kishim mjaftueshëm para për t’iu blerë të gjithëve një shtëpi shumë të mirë, në një vend që as nuk përmbytet, as nuk rrezikohet, që është afër spitalit, afër shkollës, afër çerdhes. Besoj se është një moment reflektimi që fondet e Bashkimit Europian të mos përdoren më për të shpikur rrotën. Jemi në një situatë kur çdo njeri në Shqipëri është i mbiseminarizuar, i mbikonferencizuar, i mbitrajnuar për të gjitha çështjet. Ka ardhur koha që të bëjmë gjëra konkrete”, shtoi Veliaj.