Dëshmia
Vëllai i Azbies, Agron Xhafa, tregon dyshimet e tij dhe të të afërmve të tjerë lidhur me motivin e ngjarjes. Ai ka theksuar se e motra e tij, Azbia, dhe i kunati, Enveri kanë qenë njerëz për t’u marrë shembull, punëtorë dhe fjalëpakë. Agroni shton se nuk di askush që ata të kenë pasur ndonjë konflikt.
Z. Agron, ju jeni vëllai i Azbies dhe jetoni në Ballsh. Kur dhe si e mësuat për ngjarjen?
Ishim në gjumë kur na morën në telefon të afërmit e na thanë për atë që kishte ndodhur. U nisëm urgjentisht me makinë dhe për 15 minuta mbërritëm në Belishovë. Kur mbërritëm këtu pamë se gjithçka ishte shkrumbuar. Pamë edhe trupat e djegur të familjarëve tanë që na shokuan.
Sipas jush si ka ndodhur ngjarja?
Nga ato që kemi parë e dëgjuar, dyshojmë se në fillim ata kanë vrarë motrën time. E kishin qëlluar me thikë apo hanxhar, nuk e dimë mirë. E kishin qëlluar në pjesën e qafës, poshtë veshit të majtë. Më pas e kishin mbuluar me batanije dhe e kishin futur te banaku. Për shkak edhe të rrëzimit të suvasë së dyqanit, trupi i saj ishte mbrojtur nga flakët dhe ishin djegur vetëm këmbët që ndodheshin jashtë batanijes.
Keni ndonjë dyshim pse ka ndodhur ngjarja?
Kjo ngjarje na ka shokuar dhe na ka rënë shumë papritur. Ata si familje kanë qenë përherë njerëz të ndershëm dhe nuk dimë të kenë pasur ndonjë konflikt. Na lajmëruan natën vonë dhe nuk po na besohej që të ishte e vërtetë. Nuk dimë ç’të themi. Nuk kemi një ide të qartë pse ia bënë këtë gjë motrës dhe kunatit tim, kur ata sa herë dikush u kërkonte ndihmë i gjendeshin pranë. Shpresoj që autorët të gjenden sa më shpejt dhe të vihen para ligjit.
Fqinjët
“Enveri dhe Azbia, njerëz punëtorë dhe dashamirës”
Enver dhe Azbie Myftaraj kujtohen me respekt nga bashkëfshatarët e tyre. Ata shprehin pikëllimin dhe dhimbjen e tyre për atë që u ka ngjarë, ndërsa kërkojnë që drejtësia të gjejë sa më shpejt autorët dhe t’i vërë para përgjegjësisë. Sipas tyre, Enveri ka qenë gjithmonë njeri punëtor dhe i sjellshëm. Gjithashtu, edhe bashkëshortja e tij gëzonte të njëjtat veti. Fqinjët shprehen se Enveri ishte njeri mjaft punëtor dhe i ndershëm. “Enveri punonte gjatë gjithë ditës. Mbante bagëti të trasha, rriste bletë dhe kishte mbjellë disa blloqe me drurë frutorë. Ndërkohë punonte edhe si roje i puseve të naftës në Drenovë. Ai ishte gjithmonë i zënë me punë dhe nuk kishte pasur ndonjëherë konflikte. Na respektonte të gjithëve. Edhe bashkëshortja e tij, Azbia, ishte po ashtu punëtore dhe njeri mjaft pozitiv. Nuk kemi dëgjuar ndonjëherë që familja e tyre të ketë pasur konflikte”, është shprehur për gazetën A. M., një bashkëfshatar i tij.
Prononcimi
Kryebashkiaku Çela: Shteti të gjejë autorët
Kryetari i Bashkisë së Ballshit, Ilir Çela, i cili shkoi në familjen Myftaraj për ngushëllimet e rastit, ka shprehur nderimet dhe respektin e tij për të ndjerët. Ai pohoi se kjo familje ishte një ndër më të nderuarat në zonë dhe se nuk kishte shfaqur asnjëherë probleme. Ndërkohë, kryebashkiaku Çela bëri apel për ndërgjegjësim të shoqërisë ndaj fenomeneve të tilla, si dhe i kërkoi policisë dhe drejtësisë të zbardhë sa më shpejt ngjarjen dhe të vërë para përgjegjësisë autorët. “Është një ndër ngjarjet më të rënda që ka ndodhur ndonjëherë në këtë zonë. Familja Myftari ishte një nga ato familje punëtore që jetonte në mirëqenie për shkak se punonte shumë dhe jetën e kishin të lidhur me vendlindjen e tyre. Nuk kanë pasur kurrë konflikte me të tjerët. Do t’i bëj thirrje çdo qytetari të këtij vendi që të heqë dorë nga akte të tilla kriminale që na dëmtojnë dhe na largojnë gjithmonë e më shumë nga të qenët qytetarë europianë”, pohoi Çela.