Deputeti demokrat Bledjon Nallbati ka reaguar në një deklaratë për mediat pas konfliktit fizik me shoferin e kamionit në Bilisht.

Duke pranuar se reagimi i tij dhe i vëllait, Alti Nallbatit, nuk ishte i duhuri, deputeti tregoi në deklaratën për mediat se një gropë në rrugë “e pariparuar nga pushteti” u bë shkak për një aksident të mundshëm.

Sipas demokratit, vëllai i tij ngadalësoi shpejtësinë, por shoferi i kamionit nuk veproi njësoj. Madje, ai pretendon se drejtuesi i mjetit të tonazhit të rëndë i ka ofenduar.

“Ditën e djeshme rreth orës 21:00, ka ndodhur incident që më ka përfshirë mua, vëllain tim dhe një mjeti të tonazhit të rëndë. Pranoj me përgjegjësi të plotë që duhet të qëndroja me maturi, mbi këto lloj provokime, megjithatë jam njeri para se të jem politikan. Dënojmë çdo lloj forme dhune verbale e fizike, pavarësisht se na përfshiu incidenti pa dëshirën tonë. E vërteta transformohet si i volet interesit publik të momentit. Keni parë video të pjesshme, jo të plotë. S’është e vërtetë që unë apo vëllai i kemi prerë rrugën kamionit. Po udhëtonim nga Kapshtica në qytet, në rrethrrotullim është hapur një gropë që këta pushtetarë që keqinformojnë ngjarjen, nuk e riparojnë.

Mjeti im uli shpejtësinë, ndërsa kamioni ishte mbrapa me shpejtësi dhe mund të pësonim aksident. Në këto kushte kemi ndaluar dhe ka dalë vëllai im që ishte shofer e pas tij unë. Kam tentuar shumë herë ta shmang këtë konflikt edhe pse isha në emocionet e asaj përplasje të mundshme të rrezikshme. Edhe shoferi padiskutim ka patur një reagim jo të duhur, duke më sharë mua e vëllanë tim. Emocioni prevalon ndonjëherë mbi arsyen, por jam njeri. Nuk i përkas racës së njerëzve si Niko Peleshi e të tjerë që janë marrë me këtë çështje. Këta nuk cenohen në dinjitetin e vet e të familjes, mjafton karrigia e pushtetit që të vjedhin paratë e qytetarëve”– tha deputeti.