Një ngjarje e rëndë është regjistruar mbrëmjen e kësaj të mërkure në Kavajë, ku një konflikt mes dy vëllezërve ka përfunduar tragjikisht me humbjen e jetës së njërit prej tyre.
Sipas informacioneve paraprake, rreth orës 20:30, në fshatin Agonas, shtetasi M. Rr., 76 vjeç, dyshohet se ka goditur me mjet prerës (thikë) vëllain e tij, E. Rr., 74 vjeç, teksa ndodheshin në arë duke mbledhur bazën ushqimore për blegtorinë.
I plagosuri është transportuar me urgjencë për ndihmë mjekësore, por nuk ka mundur t’u mbijetojë plagëve të marra dhe ka ndërruar jetë në spital.
Pas ngjarjes, shërbimet e Policisë kanë bërë të mundur kapjen dhe shoqërimin e autorit të dyshuar në komisariat, ku po kryhen veprimet procedurale.
Ndërkohë, grupi hetimor, nën drejtimin e Prokurorisë, po vijon hetimet për zbardhjen e plotë të rrethanave dhe dokumentimin ligjor të ngjarjes së rëndë.
