Zanatçinjtë
Tiranë, te pedonalja, ku artizanët mund të reklamonin produktet, u ngritën kioska pa vlerë
Lorina Mixha
Zanatçinjtë, artizanët, të gjithë ata që i kanë duart e arta po konsiderohen si “specie” në zhdukje. Ndaj dhe ekspertët e ekonomisë, kulturës e turizmit kanë kërkuar vëmendje nga autoritetet qendrore dhe vendore. Ndërsa fëmijët e tyre nuk dëshirojnë të ndjekin gjurmën e paraardhësve për ambicie të tjera, këta zanatçinj, po ndeshen jo vetëm me vështirësitë e punës dhe krizës, por edhe me infrastrukturën e nevojshme për të kultivuar e për të servirur krijimet e tyre.
Në vendet e zhvilluara perëndimore një pjesë e mirë e zanatçinjve, janë të stimuluar nga qeverisja nëpërmjet politikave lehtësuese fiskale, si: heqja nga taksat, lejimi i shitjes së tyre në ambiente të hapura, në qendër të qytetit.
Një pjesë e zanatçinjve të vjetër mund t’i gjejmë në cepa rrugicash, në periferi, në dyqane të vogla në qendër, por edhe në studio të improvizuara brenda shtëpive.
E vetmja rrugë, ku nuk kalojnë makina, që ndodhet në qendër e përshkruhet nga qindra turistë e qytetarë, pedonalja pranë Bashkisë së kryeqytetit, është zënë nga subjekte të ndryshme, që bëjnë bukë me qoftë, qebapë apo nga shitës ambulantë që kushedi se për çfarë arsye tregtojnë shapka plastike në zemër të Tiranës.
Rrallë herë në këtë rrugë, sheh gra, të cilat në kohë të mirë, shtrojnë, centro, mbulesa e ornamente të punuara me dorë, për të tërhequr vëmendjen e kryeqytetasve apo të turistëve soditës.
Këshilli i Ministrave vendosi, në mbledhjen e fundit, krijimin e Fondit të Ekonomisë Kreative, apo të atij që njihet në publik si artizanal. Shuma fillestare e miratuar nga qeveria për këtë fond është rreth 50 milionë lekë. Kryeministri Berisha, duke vlerësuar traditën e artizanatit në Shqipëri, si ndër më të pasurat dhe më të bukurat, garantoi artizanët e vendit se qeveria do të bëjë gjithçka për nxitjen maksimale të punës së tyre, në mënyrë që prodhimet e tyre të mrekullueshme të dalin në treg.
“Tradita e artizanatit në Shqipëri është ndër më të pasurat, më të bukurat, një traditë e cila shkrin në një trashëgimi të mrekullueshme kulturore, imagjinatën, por dhe sensin e biznesit”, theksoi Kryeministri. Berisha vuri në dukje se Shqipëria turistike është potenciali më i madh për tregun e prodhimeve artizanale, por kjo duhet të ndodhë në një harmonizim më të mirë të cilësisë artistike me çmimin e tyre, me kodin moral të fitimit. Në rast se ecet në këtë rrugë, prodhimet artistike të Shqipërisë, veshjet, gdhendjet, qilimat, sixhadet e të gjitha prodhimet e tjera të mrekullueshme, shumë prej tyre të cilësisë ndër më të larta që mund të ekzistojnë, do të kenë tregun më të mirë. Kryeministri ftoi qeveritë vendore t’i kushtojnë një vëmendje të veçantë prodhimeve artistike dhe të nxisin këtë sektor.
Sugjerimi
Berisha: Të mësojmë kodin moral të fitimit
Në mbledhjen e fundit të Këshillit të Ministrave Berisha u premtoi zanatçinjve: “Unë dua të garantoj artizanët e artizanet e këtij vendit se do të bëjmë gjithçka për nxitjen maksimale, në mënyrë që prodhimet e tyre të mrekullueshme të dalin në treg. Shqipëria turistike është potenciali më i madh për ta, për tregun e prodhimeve të tyre, por natyrisht, në një harmonizim më të mirë të cilësisë artistike me çmimin”.
Sipas Berishës, çmimin e kemi ende problem, sa të mësojmë kodin moral të fitimit e për këtë, do të na duhet kohë. “Mendohet se fitohet më shumë me çmim të lartë, por jo, më shumë fitohet në rast se je i zoti të harmonizosh çmimin me tregun, koston dhe të pranosh një normë të logjikshme, të arsyetueshme çmimi”, tha Kryeministri.