Vendimi
Irlanda do të rishikojë ligjet për abortin
Qeveria e Irlandës deklaroi se do të qartësojë ligjet e veta të abortit pasi një grua, së cilës iu mohua terminimi i kontrolluar, vdiq pasi foshnja që kishte në bark ishte e sëmurë dhe pa mundësi zhvillimi. Disa mijëra vetë mbajtën të ndezur një qiri gjatë natës jashtë Parlamentit të mërkurën, pasi u publikua lajmi i vdekjes së Savita Halappanavar, një indiane hindu, e cila ishte 17 muajshe shtatzënë. Aktivistët në Irlandë thonë se mungesa e qartësisë ligjore se kur një ndërprerje e shtatzënisë është e justifikuar, mund të ketë sjellë vdekjen e saj. Irlanda është një vend me popullatë katolike dhe ka disa nga ligjet më kufizuese të botës mbi abortet.
“Unë mbeta shumë i shqetësuar dje nga çfarë tha bashkëshorti i Savitës. Ne nuk duhet të lejojmë situata të tilla, ku të drejtat e grave vendosen në rrezik në këtë mënyrë”, deklaroi zëvendëskryeministri Eamon Gilmore para Parlamentit. “Nuk mund të ketë më diskutime, ne duhet të vendosim qartësi ligjore menjëherë”, shtoi ai.
Ligji irlandez nuk e sqaron se në çfarë rrethanash kërcënimi i jetës apo shëndetit të nënës është i mjaftueshëm për të justifikuar një abort dhe ia lë mjekëve në dorë vendimin. Vdekja e Savitës e ka vendosur në vështirësi Dublinin edhe për faktin se e ndjera ishte indiane dhe se rasti i saj u bë i njohur në të gjithë botën. Aktivistët thonë se qeveria e Irlandës qëllimisht dhe tashmë prej dekadash ka shmangur sqarimet ligjore si një çështje e bezdisshme politikisht.
Në vitin 1992, rasti i një vajze 14-vjeçare të njohur si “rasti X”, që ishte viktimë e një përdhunimi, shtyu Gjykatën Kushtetuese të vendosë që aborti lejohet kur jeta e nënës është në rrezik. Por një nen kushtetues që e ndalon abortin mbetet ende në fuqi.