Qeveria ka propozuar krijimin e Dritares së Vetme Kombëtare për Doganat (DVKD), një sistem të ri elektronik që synon të thjeshtojë procedurat për bizneset që operojnë në fushën e importit, eksportit dhe tranzitit.
Përmes kësaj platforme, operatorët ekonomikë do të kenë një pikë të vetme kontakti për dorëzimin e dokumentacionit, duke shmangur paraqitjen e përsëritur të të njëjtave dokumente pranë institucioneve të ndryshme.
Portali e-Albania parashikohet të shërbejë si ndërfaqja kryesore për bizneset, ndërsa informacioni dhe dokumentacioni mes institucioneve do të shkëmbehen në mënyrë elektronike. Lejet, licencat dhe autorizimet do të verifikohen automatikisht nga autoritetet përgjegjëse dhe do të jenë të aksesueshme nga Doganat pa pasur nevojë për dorëzim fizik nga subjektet.
Përgjegjësinë për administrimin e sistemit do ta ketë Drejtoria e Përgjithshme e Doganave, ndërsa AKSHI do të kujdeset për infrastrukturën teknike, mirëmbajtjen, sigurinë kibernetike dhe ndërlidhjen me institucionet e tjera.
Projektligji parashikon edhe ngritjen e një Komiteti Mbikëqyrës, ku do të përfshihen përfaqësues të institucioneve shtetërore dhe komunitetit të biznesit, me qëllim ndjekjen dhe koordinimin e zbatimit të platformës.
Një tjetër objektiv është lidhja e ardhshme me sistemin evropian EU CSW-CERTEX, integrimi me të cilin parashikohet pas anëtarësimit të Shqipërisë në Bashkimin Evropian. Ndërkohë, deri në atë moment, zhvillimi i sistemit do të mbështetet në një plan kombëtar.
Pas hyrjes në fuqi të ligjit, ministritë dhe institucionet përgjegjëse do të kenë një afat prej 12 muajsh për të përshtatur legjislacionin përkatës. Shërbimet e reja do të nisin pasi platforma të jetë ngritur dhe të jetë plotësisht funksionale.
Në të njëjtën paketë janë propozuar edhe ndryshime për tarifat e aplikimeve për licenca dhe autorizime në sektorin e artikujve piroteknikë dhe lëndëve plasëse për përdorim civil. Vlera e këtyre tarifave do të përcaktohet me vendim të Këshillit të Ministrave, ndërsa të ardhurat nga tarifat për artikujt piroteknikë do të kalojnë në buxhetin e shtetit.
Projektligjet pritet të shqyrtohen dhe të votohen në Kuvend. Për rrjedhojë, ndryshimet e propozuara nuk kanë hyrë ende në fuqi.
