Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka rrëfyer jetën e tij në 360 gradë, nga rinia dhe familja, politika dhe sfidat, profesioni dhe pasionet.
Ish-presidenti dhe ish-kryeministri ndau dekadat e karrierës së tij politike e jo vetëm, duke kombinuar historitë e jetës familjare me atë të braktisjes së profesionit të mjekut për të zgjedhur politikën si një rastësi e madhe dhe që nuk e kishte menduar kurrë më parë. Por çfarë e nxiti Berishën që të ndiqte rrugën e politikës?
“Nuk e kisha menduar ndonjëherë se mund të merresha me politikë. Dhe në atë kohë çdo lloj kundërshtimi mund të vinte me pasoja nga më të paimagjinueshme. Por pasojat më të rënda do i paguanin fëmijët dhe gruaja. Pra çmimi në atë kohë ishte i madh. Na mungonte dinjiteti njerëzor, sepse ne tjetër mendonim dhe tjetër flisnim, ishte imponuar njeriu diktaturë.
Ne diskutonim me miqtë gjithçka kundër, por kur shkonim në kolektiv, flisnim të gjithë ndryshe. Im atë për shembull fliste gjithmonë ato që mendonte. Për sa i përket situatës, një nxitje e madhe për mua ishte uria e shqiptarëve. Ishte uria kronika, 75% e shqiptarëve ishin me uri kronike, me sëmundje nga më të ndryshme. Ishte vetëm buka e misrit. Kjo ishte nxitje e madhe për mua, se kaloi në barbari. Në 1988 thanë se po hapeshin dhe i dhanë fshatarëve një qingj e një kec, një për vete e një për kooperativën. Degradim total. Vendimi i përfshirjes në politikë ishte më i vështiri, më i rëndësishmi, sepse më mori shumë kohë. Ramiz Alia në pamje dukej tolerant, por në të vërtetë ishte një marksist-leninist i bindur.”– tha Berisha.


