I ftuar nëpërmjet një lidhje telefonike për “Live From Tirana”, ka qenë eksperti i sigurisë, Fatjon Softa. Ai ka folur më shumë për vendimin për të ndaluar monopatinat elektrike. A është e drejtë kjo sipas ekspertit?
Vendimi i Ministres Albana Koçiu, i drejtë, i gabuar, apo i drejtë dhe i nxituar?
I drejtë dhe i nxituar. I drejtë sepse është një makth dhe një shqetësim, për aq kohë sa Shqipëria ende nuk ka një kuadër ligjor të qartë për përdorimin e tyre, për shpejtësinë e tyre, për vendet dhe mënyrat se si do të lëvizen dhe çfarë kushtesh duhet të kenë dhe cilat mosha lejohen për t’i përdorur ato, në mënyrë të tillë që të shmangin aksidentet jo vetëm për ata që drejtojnë, por dhe për qytetarë të tjerë të cilët janë pjesë e lëvizjeve në qytet, ku kaosi, stresi, pamundësia për t’i disiplinuar qoftë dhe këmbësorët, kanë kthyer numër të lartë aksidentesh në vend.
Ku vetëm për vitin 2024 kemi rreth 191 raste, ku nuk mungojnë dhe rastet e vdekjeve që kanë ardhur si pasojë e përdorimit të tyre. Vetëm për 2025 kemi 212 raste, me 721 masa ndëshkuese nga Policia e Shtetit. Por këto janë deri në momentin që të krijohet një kuadër ligjor i qartë, i saktë, që ta interpretojë dhe të dijë ta disiplinojë këtë lloj trafiku. Të njëjtën gjë ka bërë dhe Italia, e cila ka bërë ndryshime ligjore në dhjetor të 2024 dhe si rrjedhojë e këtij disiplinimi, sigurisht dhe prodhimi dhe shitblerja e tyre ka filluar të bie për shkak të kostos dhe të obligimeve që ligji të detyron. Pra ka një ndryshim që duhet të ndodhë dhe ky ndryshim që duhet të ndodhë nuk do të thotë që t’i mbyllim në mënyrë të menjëhershme, pra të njoftojmë të premten dhe t’i ndërpresim të dielën.