Nga 1 nëntori qytetarët që përdorin dy nga 10 linjat urbane të Bashkisë Kamëz, konkretisht Kamëz–Tiranë dhe Paskuqan–Tiranë do të paguajnë 50 lekë për biletë, nga 40 lekë që është aktualisht. Bileta do të rritet 10 lekë apo 25% nga sa paguhet.

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj i kontaktuar nga Monitor tha se vendimi është miratuar në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të Kamzës, pas kërkesës së operatorit privat të licensuar që menaxhon shërbimin e dy linjave dhe nis zbatimin nga 1 Nëntori.

Memaj thotë se rritja e çmimit ishte e domosdoshme për të përballuar shtimin e kostove të mirëmbajtjes dhe të karburantit, në mungesë të subvencioneve shtetërore.

Në të njëjtën mbledhje, Këshilli Bashkiak miratoi edhe rritjen e abonesë mujore për këto linja, nga 1,200 lekë në 1,400 lekë, një rritje prej 200 lekësh ose rreth 17% (nga ndryshimet nuk preket çmimi i abonesë së përgjithshme, por ndryshon vetëm për këto 2 linja).

Kryetari i Shoqatës së Transportit Urban dhe Ndërqytetës, Dashnor Memaj nënvizoi se për bashkinë e Kamzës funksionojnë rreth 8 linja urbane, të cilat menaxhohen nga operatorët privatë të licensuar në mungesë të subvencioneve shtetërore.

Ndërsa për bashkinë e Tiranës funksionojnë 16 linja urbane, shërbim që menaxhohet nga 12 operatorë privatë të licensuar, por të cilët subvencionohen nga Bashkia e Tiranës për abonetë mujore të pensionistëve dhe të studentëve dhe 10 lekë për çdo biletë të shitur.

Në rang vendi sipas Shoqatës së Transporteve, transporti urban subvencionohet vetëm nga Bashkia e Tiranës, pra bashkia subvencionin rritjen e munguar të çmimit të biletës. Subvencionet e dhëna nga Bashkia kanë ndikuar në mosndryshin e çmimit, ku disa herë nga operatorët privatë është kërkuar rritja e biletës me 40 lekë. Për linjat urbane të Tiranës çmimi i biletës vijon të mbetet 40 lekë./Monitor