Është mbajtur sot seanca e radhës në Gjykatën Administrative për padinë e Erion Veliajt kundër prokurorit të SPAK, Ols Dado. Siç raporton gazetarja e Top Channel, Anila Hoxha, seanca nisi me fjalën e gjykatësit, ndërsa më pas folën edhe kryebashkiaku i Tiranës dhe avokati i tij, Plarent Ndreca.

Pjesë nga debati:

Gjykata: Lidhur me mungesën e KLP, çfarë mendimi ka pala paditëse?

Avokati Plarent Ndreca: Të vazhdojë pa praninë e palës.

Veliaj: KLP nuk kthen përgjigje, a ka vendim s’kanë kthyer përgjigje, siç urdhëroni dikë të fshijë filmimet, urdhëroni të vazhdojë ky proces, ky proces duhet të vazhdojë, kur nuk jepet informacion dhe nuk është mbledhur kurrë për të dhënë informacion.

Gjykata: Konstaton mungesën dhe vijon procesin në mungesë të përfaqësuesve të KLP. Keni kërkesë tjetër?

Plarent Ndreca: Nuk shquhem si profesionist për mungesë durimi, mënyra si trajtohet publiku dhe fakti si një efektiv rri te dera dhe ndalon hyrjen në një seancë publike. Nuk e di çfarë do punonjësi aty për të vlerësuar kush hyn apo jo, çfarë di kryesekretarja për të vlerësuar a hyjnë kamerat apo jo?

ka kaluar çdo lloj mirëkuptimi dhe nuk gjej fjalë për këtë absurd që po instalohet. Gjykimi duhet të jetë në sytë e publikut dhe ju duhet ta vlerësoni udhëzimin e KLGJ, që në rastin e fundit ju thatë se kamerat nuk duhet të jenë prezent. Pse duhen lejuar KLGJ në aktivitetin e gjykatës?

Më pas, seanca u shoqërua me debate mes avokatit të Erjon Veliaj dhe gjyqtarit administrativ Hazbi Balliu për mos lënien e kamerave për të hyrë në proces.

Gjyqtari: Vendimmarrjen time goditeni pranë institucioneve, unë i referohem udhëzimit të KLGJ.

Ndreca: Jam jashtëzakonisht i qartë, kërkoj hapni procesin për publikun, nuk e kuptoj çfarë frike ka nga ky proces. Ke përballë prokurorin e republikës dhe presidentin që kanë detyrim të japin llogari. Nuk është privilegj pjesëmarrja e publikut.

Gjyqtari: I referohem udhëzimit.

Ndreca: Referoju Kushtetutës.

Gjyqtari: Nëse palët do pranojnë.

Ndreca: Këtu s’ke asnjë palë private. I ke të gjitha shtet, kryetarin e bashkisë, presidentin dhe prokurorin.

Ndreca: Del sekretarja dhe thotë asnjë kamera. A nuk është censurë? Jeni këmbëngulës ta lini procesin në errësirë. Nëse e lidhni publikun me 30 vende këtu, nuk është kjo. Media mund ta transmetojë dhe publiku ta shikojë, përndryshe është censurë. Ju po tregoni jo paanshmëri. Ne kemi ardhur këtu dhe kemi goditur dekretin e presidentit dhe ju nuk merrni mundimin të vlerësoni udhëzimin e KLGJ-së nëse është nul apo jo akti i KLGJ-së, ju mund ta bëni kryesisht këtë gjë se cenohet e drejta e publikut dhe e medias. KLP në vend që të bëhej palë me ne, praktikisht është bërë palë dhe kërkon të na mbyllë gojën duke thënë që nuk legjitimohet Erion Veliaj. Ata thonë ti nuk duhet ta thuash këtë, duhet të heshtësh. Kjo e ka kaluar emrin e Erion Veliajt, është kthyer në një çështje që i përket shtetit të së drejtës. Na është hequr liria nga provat dhe hetimi nga një prokuror që mendojmë që është emëruar në mënyrë të paligjshme. KLP thotë që Veliaj nuk legjitimohet, kush mund të jetë më i legjitimuar? Ne mendojmë madje se çdo qytetar është i legjitimuar për të ndërhyrë. Kush e ka arrestuar kryetarin e bashkisë, e ka arrestuar një qytetar apo një prokuror?

KLP thotë që dekreti është nxjerrë nga Presidenti i Republikës, sigurisht ne nuk e mohojmë. Por ligji e ka përcaktuar se si e merr detyrën gjyqtari dhe prokurori.

Gjyqtari: Avokat, gjykata duhet të shqyrtojë aspektet përgatitore.

Ndreca: do pak durim, këtë mund t’ia kishit thënë KLP./ Top Channel