Punonjësi i karburantit ku ndodhi vrasja e dy të rinjve në Manës ka rrëfyer për mediat atë që gjeti në vendin ku punon pas ngjarjes. Ai ka deklaruar se policia nuk e ka lënë të afrohet, teksa tregon që viktimat ishin të sjellshëm.
“Unë erdha në mëngjes, gjeta karburantin e rrethuar me shiritin skenë krimi. Më thanë ka ndodhur një ngjarje mos u afro, kam ndenjur atje derisa iku policia. Nuk i njoh ata që janë vrarë. Njëri është nga Manza, por nuk rri këtu. Ishin çuna të sjellshëm”, tha punonjësi i karburantit.
Dy të rinj janë vrarë me armë zjarri pas një konflikti të çastit. Viktimat janë identifikuar si Aranit Kurti, 23 vjeç, dhe Flori Paluçi, 33 vjeç, të dy banues në Manëz.
Sipas të dhënave paraprake nga grupi hetimor, dyshohet se Flori Paluçi është qëlluar për vdekje nga shtetasi Daniel Pepa, 21 vjeç, gjithashtu banues në Manëz. Ndërsa viktima tjetër, Aranit Kurti, dyshohet se është vrarë nga vetë Flori Paluçi, pak para se ky i fundit të mbetej i vdekur në vendngjarje.
Policia e Durrësit ka nisur kontrollet për kapjen e shtetasit Daniel Pepa, i cili aktualisht është në arrati.
Ndërkohë, një grup i posaçëm hetimor, nën drejtimin e Prokurorit të Rrethit Gjyqësor Durrës, po punon në vendngjarje për të dokumentuar plotësisht rrethanat e ngjarjes, për të identifikuar nëse ka persona të tjerë të përfshirë dhe për të administruar çdo provë që mund të ndihmojë në zbardhjen e plotë të kësaj vrasjeje të dyfishtë./ Top Channel



