Ndërsa Italia, Greqia dhe vende të tjera në Evropë janë të alarmuara nga varianti K i virusit të gripit AH3N2, edhe në Shqipëri vijon të shihet një rritje e numrit të infeksioneve respiratorë. Sipas Institutit të Shëndetit Publik, gjatë javës së fundit janë raportuar 13,500 raste, por numri i të infektuarve pritet të jetë më i lartë, pasi jo të gjithë shkojnë tek mjeku.
“Nga 12,000 raste javën e kaluar, këtë javë kemi 13,500, pra ka një rritje,” u shpreh doktoresha Rovena Daja.
Varianti K i virusit të gripit ende nuk është izoluar në laborator, por ardhja e emigrantëve dhe lëvizjet e shumta për Krishtlindje dhe festat e fundvitit nuk e përjashtojnë praninë e tij në vendin tonë. Ky situatë ka sjellë një rritje të numrit të pacientëve në spitale, disa me komplikacione më të rënda. Për këtë arsye, epidemiologët këshillojnë, përveç vaksinimit, edhe përdorimin e maskave:
“Nuk ka vend për panik, por personat me sëmundje kronike, mbi 65 vjeç, si dhe të vegjlit duhet të vaksinohen dhe të mbajnë maska. Jemi lodhur nga maskat, por ato na mbrojnë nga gripi, RSV dhe COVID,” tha doktoresha Rovena Daja.
Komplikacionet e variantit të ri të gripit duket se kanë ndikuar në qasjen e shqiptarëve ndaj vaksinave.
Ekspertët e shëndetit publik bëjnë thirrje për vaksinim, pasi kjo frenon shtrimet në spital dhe ndihmon që gripi të kalojë me simptoma të lehta.




