Komisioni i Venecias dhe Drejtoria e Përgjithshme për të Drejtat e Njeriut dhe Shtetin e së Drejtës (DGI) kanë vlerësuar pozitivisht projektligjin “Për Financimin e Partive Politike”, i cili u dërgua për shqyrtim nga Kuvendi i Shqipërisë. Në opinionin e tyre, ekspertët ndërkombëtarë përshëndesin faktin që projektligji është hartuar përmes një procesi gjithëpërfshirës, me pjesëmarrjen e mazhorancës, opozitës dhe shoqërisë civile, si dhe paraqet një përmirësim të dukshëm krahasuar me legjislacionin aktual.
Sipas Komisionit të Venecias, projektligji synon të rrisë transparencën, llogaridhënien dhe integritetin në financimin e partive politike. Ndër elementet pozitive përmenden raportimi më i detajuar financiar, përdorimi i platformave elektronike, forcimi i mekanizmave të kontrollit dhe auditimit, rregullimi më i qartë i burimeve të ndaluara të financimit dhe krijimi i një strukture të posaçme brenda Komisionit Qendror të Zgjedhjeve.
Megjithatë, ekspertët theksojnë se projektligji ka nevojë për përmirësime të mëtejshme për të adresuar boshllëqet dhe dobësitë e evidentuara ndër vite. Ata vlerësojnë se dispozitat duhet të jenë më të qarta dhe më të detajuara, ndërsa rregullat teknike të lihen në aktet nënligjore. Një nga shqetësimet kryesore lidhet me financimin indirekt dhe të fshehtë të partive politike përmes organizatave të lidhura me to, palëve të treta, platformave digjitale, agjencive të komunikimit, shërbimeve në natyrë apo përdorimit të burimeve publike.
Komisioni i Venecias rekomandon gjithashtu harmonizimin e rregullave për financimin e partive me ato të financimit të fushatave zgjedhore, forcimin e kompetencave dhe pavarësisë së KQZ-së në mbikëqyrjen e financimeve politike, si dhe rishikimin e sistemit të sanksioneve për shkeljet e ligjit. Sipas opinionit, reformat e ardhshme në Kodin Zgjedhor duhet të mbyllin çdo boshllëk të mbetur dhe të sigurojnë një kuadër të plotë e të qëndrueshëm për financimin politik në Shqipëri.
Sugjerimet e Komisionit të Venecias:
A. Të sigurohet që rregullat që lidhen me financimin e zakonshëm të partive politike dhe ato që lidhen me financimin e fushatave zgjedhore të harmonizohen dhe të mos bien në kundërshtim me njëra-tjetrën.
B. Të parashikohen rregullime më të sakta dhe më të detajuara në vetë projektligjin, duke lënë për aktet nënligjore vetëm aspektet teknike, si dhe të garantohet që rregullat zbatuese të miratuara nga Komisioni Qendror i Zgjedhjeve dhe Këshilli i Ministrave të bazohen në kritere mjaftueshëm të qarta, objektive dhe të parashikueshme.
C. Të rregullohet në mënyrë më gjithëpërfshirëse financimi i fshehtë dhe financimi indirekt përmes palëve të treta, si dhe përmes entiteteve të lidhura ose të kontrolluara nga partitë politike.
D. Të përcaktohet qartë në ligj që raportet financiare të partive politike duhet të përfshijnë, në mënyrë të detajuar dhe të ndarë sipas kategorive:
-të gjitha burimet e të ardhurave;
-të gjitha shpenzimet;
-pasuritë;
-detyrimet financiare;
-kreditë dhe huatë;
-borxhet;
-garancitë;
-kontributet në natyrë;
-shërbimet e ofruara nën vlerën e tregut;
-transaksionet me entitete të lidhura;
-mbështetjen publike në natyrë;
-shpenzimet për median dhe komunikimin dixhital;
-grantin për barazinë gjinore dhe përfaqësimin e të rinjve.
Gjithashtu, duhet të merret në konsideratë raportimi më i shpeshtë financiar, veçanërisht gjatë viteve zgjedhore.
E. Të forcohet mbikëqyrja e financimit të partive politike, duke:
-krijuar mekanizma të qartë bashkëpunimi ndërmjet Komisionit Qendror të Zgjedhjeve dhe institucioneve të tjera shtetërore;
-garantuar që KQZ të ketë mandat të qartë, kompetenca të plota dhe burime të mjaftueshme për të mbikëqyrur në mënyrë efektive dhe proaktive financimin e partive politike;
-siguruar që KQZ të ketë mundësi të hetojë shkeljet e dyshuara të rregullave të financimit politik;
-rregulluar më në detaje strukturën e posaçme për financimin, monitorimin dhe kontrollin e financimit të partive politike që planifikohet të krijohet brenda KQZ-së, duke përfshirë garanci për pavarësinë e saj;
-forcuar pavarësinë e ekspertëve kontabël që kryejnë auditimin e raporteve financiare të partive politike.
F. Të rishikohen dispozitat për sanksionet, në mënyrë që:
-të ketë sanksione për shkeljen e të gjitha detyrimeve dhe ndalimeve të parashikuara nga ligji;
-të ekzistojë një gamë më e gjerë masash ndëshkuese, që të jenë efektive, proporcionale dhe parandaluese;
-të shqyrtohet rritja e disa gjobave administrative;
-masa e ndalimit të një partie për të marrë pjesë në zgjedhje për shkak të shkeljeve të caktuara të ligjit të zbatohet vetëm në raste të rënda, si masë e fundit, pasi partisë t’i jetë dhënë mundësia për të korrigjuar shkeljen dhe vetëm pas një kontrolli gjyqësor efektiv.
