Në një intervistë për gazetën italiane Corriere della Sera, kryeministri i vendit Edi Rama ka folur për të ardhmen e vreshtarisë. Rilindja Enologjike sipas tij do të bëj verën shqiptare një marke ndërkombëtare.

“Nuk është synimi të bëhemi një prodhues i madh industrial. Shqipëria duhet të fokusohet te cilësia, autenticiteti dhe rrallësia. Mund të ndërtojmë një markë: Shqipëria, toka e verërave autoktone, territoreve të vogla, kantinave familjare dhe peizazheve ende autentike”, u shpreh kryeministri.

Sipas ekspertit të turizmit rural, Shpresim Domi kjo ofertë është e mirëpritur pasi çdo iniciativë që nxit krijimin e një ofertë turistike që bazohet në identitet krijon mundësinë që vizitorët të përjetojnë atë që quhet autentike. Dhe kjo mund të ndodhë fare mirë edhe me një gotë vere.

“Shqipëria sot që flasim kultivon rreth 9800 Ha me rrush duke prodhuar 2.6 milionë litra verë. Sot që flasim Shqipëria ka 1300 kultivarë të ndryshëm që bëjnë një bazë të fuqishme për të dhënë jetë kësaj inciative. Turizmi i bazuar në verë”, shprehet eksperti i turizmit rural, Shpresim Domi.

Por që historia të shkruhet në verë nga fermat familjare, së pari duhet të ndalojmë që kantinat e mëdha të përfitojnë nga prodhuesit e vegjël që mbajnë gjallë traditën.

“Duhet të bëjmë shumë kujdes në zbatimin e kësaj skeme mund të krijohet i ashtuquajturi inflacion kultivantësh vendas. Sepse nesër me krijimin e një statusi të veçantë ligjor, fiscal dhe financiar për prodhuesit e vegjël që krijojnë këtë ofertën me identitet me synim krijimin e eksperiencës autentike të gjithë do mundohet të jenë prodhues të tillë e për rrjedhojë do shohim inflacion të prodhuesve ë vegjël në kuptimin që hiqen si prodhues me kultivarë autokton apo vendas por që nuk janë të tillë”, tha eksperti Domi.

Prodhimi i verës autentike pritet që të shërbej si një instrument i fuqishëm për promovimin e Shqipërisë rurale.