Kryebashkiaku i Rrogozhinës, Edison Memolla, është vetëdorëzuar në Policinë e Durrësit pas vendimit të Gjykatës së Apelit të Posaçëm.
Vetëdorëzimi i tij erdhi vetëm disa orë pasi Apeli i Posaçëm e dënoi me një vit burg për korrupsion në zgjedhjet e pjesshme të 6 marsit 2022. Përveç dënimit me burg, gjykata vendosi edhe një masë plotësuese pesëvjeçare që e ndalon Memollën të ushtrojë funksione publike.
Në të njëjtin vendim, Blerim Xhamani dhe Ndriçim Tafxhafa u dënuan gjithashtu me nga një vit burg, ndërsa për Isuf Toskun dënimi u konvertua në shërbim prove.
Sipas hetimeve të drejtuara nga prokurori Edvin Kondili, Memolla dyshohet se ka ndërhyrë te punonjës të OSHEE-së që të mos ndërpritej energjia elektrike në këmbim të votave gjatë procesit zgjedhor.
Kryebashkiaku nuk ishte i pranishëm në seancën gjyqësore, ndërsa vendimi i Apelit ishte i formës së prerë dhe i zbatueshëm menjëherë, çka do të sillte arrestimin e tij nëse nuk do të ishte vetëdorëzuar.
