Një 13-vjeçar ka përfunduar në shoqërinë e Policisë së Krujës, pasi dyshohet se tentoi të grabiste një market në qendër të qytetit gjatë mbrëmjes së së mërkurës.

Sipas informacioneve paraprake, i mituri ka thyer xhamat e biznesit me një çekiç, në përpjekje për të hyrë brenda, por nuk ka arritur ta realizojë grabitjen.

Pas sinjalizimit, policia identifikoi dhe shoqëroi 13-vjeçarin, i cili po merret në pyetje në prani të një psikologu, duke pasur parasysh moshën e tij.

Gjatë verifikimeve, efektivët kanë sekuestruar edhe rrobat që dyshohet se mbante veshur në momentin e ngjarjes, si dhe çekiçin që, sipas hetimeve paraprake, është përdorur për të thyer xhamat e marketit.

Autoritetet po vijojnë veprimet procedurale për të sqaruar plotësisht rrethanat e ngjarjes.