Nga kompjuteri i parë në Ballsh te krijimi i një kompanie software me 16 punonjës. Kjo është historia e Orgito Baraj, që ka vetëm 22 vite jetë.

I ftuar në emisionin “Tech Talk”, Baraj rrëfeu se ka lindur në Ballsh, ku, pavarësisht mundësive të kufizuara teknologjike, nisi të eksploronte botën e kompjuterëve falë pajisjes së parë që i blenë prindërit.

Më pas, me zhvendosjen në Fier, një rol të rëndësishëm në rrugëtimin e tij e pati Olta, mësuesja e informatikës, e cila, sipas tij, ishte ndër të parat që besoi te aftësitë e tij.

“Ti ke për të ecur. E vetmja profesoreshë që më thoshte, se veç informatikën kam pasur 10 dhe gjithë lëndët e tjera i kam pasur 5 dhe 6”, tregoi Orgito në “Tech Talk”.

Baraj tregon se që në moshën 15-vjeçare nisi të krijonte produkte teknologjike, ndërsa më vonë eksperimentoi edhe me kriptomonedhat.

Sipas rrëfimit të tij, një prej sipërmarrjeve më të rëndësishme ishte krijimi i një startup-i në fushën e inteligjencës artificiale, të cilin thotë se e shiti për 80 mijë euro.

Sot, në moshën 22-vjeçare, Baraj ka ndërtuar kompaninë e tij të software-it, me 16 punonjës. Ai raporton se aktiviteti i kompanisë ka gjeneruar rreth 1.4 milionë euro të ardhura që prej vitit 2023.