Në pesë bashkitë ku po zhvillohen sot zgjedhjet për kryebashkiak, pjesëmarrjen më të ulët deri tani e regjistron Vlora, me vetëm 5.12%.

Pas votimit, kandidati i pavarur Gjergj Nika deklaroi se pritet një bojkotim i klasës politike, i cili sipas tij do të shërbejë si një leksion për të gjithë.

“Sa i përket pjesëmarrjes së ulët, unë mendoj se do të ketë një bojkotim të klasës politike. Ky do të jetë leksion, dhe ky leksion do të vijë nga Vlora. Sipas meje, pjesëmarrja në këto zgjedhje nuk do të kalojë 15%”, u shpreh Nika.

I pyetur për besimin në rezultat, ai tha se ka hyrë në këtë garë për të fituar dhe se do të ndjekë individualisht çdo shkelje të mundshme ligjore gjatë procesit zgjedhor.