Kryeministri Edi Rama ka dhënë sinjalin e nisjes së fushatës zgjedhore të Partisë Socialiste për zgjedhjet e 11 majit, me një postim simbolik në rrjetet sociale ku shfaqet me atlete që mbajnë numrin 5, duke shkruar:
“Gati fillon maratona, vetëm 5.”

PS çel sot zyrtarisht fushatën me një tubim masiv në Sheshin Skënderbej, në një event që mban edhe një simbolikë europiane është organizuar më 12 prill, në orën 12:00, me përfaqësues nga 12 qarqe, si një paralelizëm me 12 yjet e flamurit të Bashkimit Europian.

Rama e ka quajtur këtë takim një festë politike me moton:
“Shqipëria 2030 në BE.”

Fokusi kryesor i fushatës mbetet integrimi në Bashkimin Europian, ndërsa kryesocialisti pritet të mbajë fjalimin qendror, ku do të theksojë nevojën për një fitore të thellë, jo thjesht numerike, por politike dhe strategjike.

Një ditë më parë, Rama zhvilloi një takim të gjatë me gratë socialiste në Teatrin e Operas dhe Baletit, ku nënvizoi rolin vendimtar të grave në strukturat e partisë.
Ai deklaroi me bindje se “Shqipëria do të ketë një kryeministre grua, dhe ajo do të vijë nga familja socialiste.”