Sipas projekt-akteve të përgatitura nga Komisioni Qëndror i Zgjedhjeve, fushata për zgjedhjet e pjesshme në gjashtë bashki të vendit pritet të nisë më 1 nëntor, duke u lënë kandidatëve vetëm 8 ditë kohë për zhvillimin e fushatës elektorale.

Zgjedhjet do të zhvillohen më 9 nëntor në bashkitë Tiranë, Vlorë, Berat, Tepelenë, Cërrik dhe Mat, sipas dekretit të Presidentit të Republikës Bajram Begaj. Ky dekret erdhi pak pasi kryeministri Edi Rama informoi zyrtarisht për krijimin e vakancave, edhe pse në disa raste këto vakanca kishin ndodhur prej muajsh.

Ndërkohë, projekt-afatet e propozuara nga KQZ përcaktojnë edhe datat kyçe të procesit zgjedhor:

  • 11 tetor – afati i fundit për regjistrimin e partive politike që do të marrin pjesë në zgjedhje;
  • 16 tetor – afati për regjistrimin e koalicioneve zgjedhore;
  • 19 tetor – afati për dorëzimin e dokumentacionit të kandidimit për individët që synojnë postin e kryetarit të bashkisë. Po ashtu, zyrat e Gjendjes Civile në bashkitë përkatëse duhet të hartojnë listat përfundimtare të zgjedhësve jo më vonë se data 6 tetor.