Deputetja e Partisë Socialiste, Zegjine Çaushi, ka reaguar sot nga salla e Kuvendit, duke iu drejtuar kolegëve të opozitës me thirrjen për të rikthyer normalitetin në seancë dhe për të vijuar punimet sipas rendit të ditës.
Në fjalën e saj, Çaushi kritikoi qëndrimin e deritanishëm të opozitës, duke i akuzuar për gjuhë fyese dhe mungesë konstruktiviteti. Ajo u bëri thirrje deputetëve opozitarë të ulin tonet dhe të kontribuojnë në zhvillimin normal të punimeve parlamentare.
“Der tani, opozita vetëm ka ofenduar. Është koha të ndalojmë këtë sjellje dhe të fokusohemi në çështjet që shqetësojnë qytetarët,” u shpreh Çaushi.
Megjithatë, deputetja socialiste nuk la pa përmendur me ironi edhe kreun e grupit parlamentar të PD-së, Gazment Bardhi, duke e thumbuar ashtu si gjatë fushatës zgjedhore.
“Gazi, nuk është se ka ndonjë sjellje tjetër – Gazi është. Dhe ju të tjerët si Gazi do përfundoni,” deklaroi ajo me një ton ironik që solli reagime të përziera në sallë.c