Kryetari i Partisë Demokratike, Sali Berisha, ka bërë thirrje për bashkimin e të gjitha forcave opozitare në një front të përbashkët politik, me synimin për t’i dhënë fund qeverisjes së Edi Ramës.

Gjatë fjalës së mbajtur në Foltoren e Ripërtëritjes në Durrës, Berisha kritikoi qeverinë për emigracionin, rritjen e çmimeve të banesave dhe, sipas tij, lidhjet me botën e krimit. Ai u bëri apel partive dhe grupimeve që e konsiderojnë veten opozitare të bashkojnë forcat në një përballje të përbashkët me mazhorancën.

Berisha krahasoi periudhën 2007–2014 me vitet e fundit, duke pretenduar se në të kaluarën popullsia e Shqipërisë rritej, ndërsa që prej vitit 2014 vendi ka pësuar një tkurrje të ndjeshme. Ai u ndal edhe te çmimet e banesave, duke deklaruar se në vitin 2013 një metër katror në Tiranë kushtonte mesatarisht 700 euro, ndërsa sot, sipas tij, ka arritur në 2100 euro.

Kreu i PD-së e cilësoi bashkimin opozitar si të domosdoshëm për të krijuar një alternativë më të fortë politike dhe për t’u dhënë qytetarëve mundësinë të zgjedhin të lirë.

“Ftoj të gjitha forcat politike opozitare që ndjehen opozitare, të krijojmë një front të përbashkët për t’i dhënë shtytjen e fundit këtij regjimi çnjerëzor anti-shqiptar”, deklaroi Berisha.

Ai theksoi se opozita nuk duhet të shpresojë në përfitime politike duke qëndruar e ndarë, ndërsa kërkoi vijimin e procesit të ripërtëritjes së PD-së, me më shumë hapësirë për të rinjtë dhe gratë.

Në përfundim, Berisha u shpreh optimist për rezultatin e një fronti të gjerë opozitar, duke e cilësuar bashkimin si një betejë për të ardhmen dhe ekzistencën e Shqipërisë si komb i lirë.