Aktivistja shqiptaro-amerikane, Evi Kokalari ka komentuar humbjen e Viktor Orban në Hungari pas 16 vitesh dhe fitoren e Peter Magyar. Në një postim në rrjetet sociale, Kokalari shkruan se vetëm ajo mund të fitojë kundër Sali Berishës, në garën për kreun e PD, pasi ajo gjithmonë ka ekspozuar korrupsionin e tij.
Kokalari thotë se Berisha premtoi ndryshime radikale në PD, por në fund përfundoi duke shitur zgjedhjet lokale dhe e mbylli partinë.
“Magyar Péter, i cili mundi Viktor Orbán sot në Hungari, dikur ishte pjesë e partisë së tij, derisa u largua dhe filloi të ekspozojë korrupsionin e regjimit. Sot, edhe pasi Viktor Orbán mori mbështetje publike nga Donald Trump, JD Vance, madje edhe nga Izraeli, ai pësoi një humbje masive.
E njëjta gjë me mua: iu ktheva Sali Berisha për korrupsion, pasi premtoi ndryshime radikale për Partinë Demokratike të Shqipërisë, por në vend të kësaj, shiti zgjedhjet lokale dhe e mbylli partinë hermetikisht.
Ju garantoj: vetëm unë mund të fitoj kundër Sali Berisha dhe Edi Rama. Nuk kam kursyer askënd kur bëhet fjalë për ekspozimin e korrupsionit, përfshirë edhe ata që dikur i kam pasur miq në SHBA dhe me të cilët ende po përballem”, shkruan Kokalari.
Sipas saj, zgjedhjet në Hungari dhanë një mesazh të qartë për Sali Berishën, se as “10 mln dollarët nuk do të blejnë mbështetje për të vazhduar mbajtjen peng të PD-së, opozitës dhe, si rrjedhojë, të ndryshimeve radikale në Shqipëri. Nëse Viktor Orbán, me gjithë fuqinë dhe mbështetjen e tij, humbi, ti nuk ke as 1/10000 e peshës apo forcës së tij”.
