Në ditën e dytë të një procesi gjyqësor ku po analizohet vetëvrasja e shqiptarit Leonard Farruku në vitin 2023 në anijen-hotel, ka dalë në pah neglizhenca totale e Ministrisë së Brendshme angleze.
Agjencia britanike e lajmeve, “PA”, të cilës i referohet Top Channel, shkruan se Leonard Farruku, 27 vjeç, u gjet i pajetë në kabinën e dushit, në Portin e Portlandit, më 12 dhjetor 2023. Shkaku i vdekjes raporothet se ishte mbytja.
Motrat e tij, Marsida Keci dhe Jola Dushku, kanë ngritur dyshime se si vëllai i tyre, i cili sipas tyre kishte probleme me shëndetin mendor që nga vdekja e prindërve, u lejua të transferohej në anijen-hotel.
Hetimi ka treguar se Farruku ishte akomoduar më parë në një hotel në Paignton, Devon, ku gjatë vitit 2023 tregoi sjellje agresive, përfshirë dëmtimin e mobiljeve, grindje me banorë të tjerë dhe përpjekje për të goditur policinë. Ai gjithashtu kishte bërë komente seksuale ndaj një gruaje dhe kishte refuzuar trajtime për shëndetin mendor.
Nia Dowd, udhëheqëse e ekipit të mbrojtjes për “Clearsprings Ready Homes”, tha se stafi e konsideronte Leonardin si një rast me “probleme serioze të shëndetit mendor”. Ajo ka dërguar një email urgjent në Ministrinë e Brendshme për të ngritur shqetësime lidhur me transferimin e tij në anijen-hotel më 3 nëntor, por nuk ka marrë përgjigje.
Dowd shtoi se shëndeti i tij mendor duhej vlerësuar para transferimit, por për shkak të vendimit të Ministrisë së Brendshme për ta zhvendosur atë, kjo nuk u bë. Ajo mësoi për vdekjen e Leonardit vetëm nga mediat.
Hetimi mbi ngjarjen vazhdon, ndërsa mbeten të hapura pyetje mbi përgjegjësitë e autoriteteve dhe mungesën e veprimeve për kujdesin e tij./ Top Channel