Peqin


Sajmir Plaku vuante nga depresioni. Arrestohet edhe vjehrri i tij 


peqinNjë 24-vjeçar është vetëvrarë, ndërsa kishte shkuar te vjehrri i tij në fshatin Cacabezë në Peqin. Sajmir Plaku, 24 vjeç, me banim në lagjen “Syrja Dylgjeri” në Elbasan, dyshohet se vuante prej kohësh nga depresioni nervor, për të cilin merrte edhe medikamente kuruese. Sipas policisë, një natë më parë është lajmëruar se një shtetas ishte vetëvrarë me armë gjahu dhe pasojat ishin fatale. Menjëherë një grup hetimor është nisur në vendin e ngjarjes, ku është konstatuar se 24-vjeçari Sajmir Plaku ishte qëlluar në pjesë të kokës me armë gjahu. Nga deklarimet e familjarëve dhe të afërmve është mësuar se i riu që ishte kthyer pak kohë më parë nga emigracioni vuante prej kohësh nga depresioni nervor, duke marrë edhe mjekime.


Një ditë më parë, ai ka dërguar bashkëshorten tek i ati dhe duke shfrytëzuar momentin kur të gjithë kanë qenë brenda në shtëpi, ka marrë armën e gjahut që vjehrri e mbante pa leje duke qëlluar mbi veten. Për të nuk ka pasur asnjë mundësi shpëtimi dhe me gjithë transportin në spital ka qenë e pamundur t’i shpëtohet jeta.


Sipas familjarëve, gjendja e tij ishte problematike, por nuk do ta mendonin që ai do të arrinte deri aty sa të vriste veten.


Sipas gruas së tij, prej pak muajsh ai kishte shqetësime dhe për këtë ishte vizituar dhe gjithashtu merrte ilaçe. Ndërkohë që as familjarët e saj nuk e kishin kuptuar se çfarë hapi do të ndërmerrte 24-vjeçari, i cili ka dalë pa rënë në sy në oborr, ku edhe ka shkrehur armën. Në krah të tij është gjetur arma me gëzhojat, e cila i përkiste vjehrrit të tij dhe që e mbante pa leje.


Për këtë arsye, policia ndërmori gjithashtu arrestimin në flagrancë të shtetasit Faik Dybeli 56 vjeç, pasi arma e gjetur pranë shtetasit Sajmir Plaku i përkiste atij dhe nuk dispononte leje. Vjehrri që tashmë humbi dhëndrin nga të shtënat e armës që mbante vetë, do të duhet të përgjigjet edhe për mbajtje pa leje të armëve të gjuetisë. B.Nergjoni