Në studion e Breaking në Top News u diskutua ditën e sotme edhe për aksionet në burgjet e Shqipërisë.
Gazetari Eraldo Harlicaj u shpreh se kjo nuk ishte diçka e papritur apo e re, sepse shpesh në burgje janë gjetur celularë, lëndë narkotike, armë të ftohta.
“Kur vjen drejtori i ri në burgje, për të paditur dhe personin që zëvendësoi, nisi një aksion blic në burgjet e Shqipërisë. Nga kontrolli u gjetën ato që ne i kemi thënë më parë, dhe kjo është vetëm maja e ajsbergut. Përfitimet ekonomike për shkak të korrupsionit në këto pozicione janë shumë të larta. Për të bërë një transferim nga një burg në një burg tjetër, shifra ka shkuar deri në 20 mijë euro. Doktorët e burgjeve i kanë kthyer në hotele për ata të burgosur që paguajnë tarifë mujore aty. Transferimet janë kthyer në biznese të mirëfillta,” tha Harlicaj.
Ndërsa ish-drejtuesi i policisë, Arben Hajdarmataj u shpreh se “problematika e burgjeve nuk është vetëm në Shqipëri”.
“Raporte të tilla ndodhin edhe në Perëndrim dhe në SHBA. Problemi është se sa ti je në gjendje si institucion me e parandalu një aktivitet të tillë. Si fenomene nuk ndodhin vetëm këtu,” tha Hajdarmataj.
Pyetjes në lidhje me gjetjen e vibratorëve në burgun e grave të Pojskës, vuri në siklet gazetarin Harlicaj.
“E di që më the mos më pyet në lidhje me këtë se e ke me siklet, por unë do të pyes se këtë punë kemi. Janë gjetur dhe lodra seksi në këtë burg, pse duhen hequr këto pajisje?” pyeti moderatorja Fiori Dardha.
“Janë pasur si pajisje të rrezikshme. Por edhe të burgosurit duhen të trajtohen me dinjitet. Për gjërat që nuk janë të rrezikshme duhet mbyllur një sy përderisa janë për kënaqësi intime,” tha Harlicaj.
