Një 62-vjeçar është arrestuar në Përmet, i cili kishte kthyer banesën e tij në thertore të paligjshme.

Në ambientet e shtëpisë së tij u gjetën dhjetëra bagëti të imta në proces therjeje dhe të therura, si dhe matrikuj të dyshuar të falsifikuar. Policia dhe inspektorët zbuluan gjithashtu një tubacion përmes të cilit mbetjet e therjes shkarkoheshin direkt në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të rëndë. Autoriteti Kombëtar i Ushqimit (AKU) bllokoi menjëherë ambientin dhe gjobiti pronarin me 200 000 lekë të rinj.

Nga ky operacion u proceduan penalisht për “Shpërdorim detyre” edhe dy veterinerë, shtetasit L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të cilët dyshohet se nuk kanë ushtruar kontrollet ligjore mbi bagëtitë e therura në këtë ambient.

Njoftimi i policisë:

Në vijim të punës për parandalimin, evidentimin dhe goditjen e krimeve mjedisore, shërbimet e Komisariatit të Policisë Përmet dhe të Seksionit për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare, në bashkëpunim me AKU Gjirokastër, bazuar edhe në informacionet e siguruara se një shtetas kishte përshtatur një ambient si thertore jashtë kushteve minimale higjieno-sanitare dhe mbetjet e krijuara nga kjo veprimtari i hidhte në lumin Vjosë, ushtruan kontroll në këtë ambient.

Gjatë kontrollit në banesën e shtetasit A. L., u konstatua një ambient i përshtatur si thertore për bagëti të imta, ku u gjetën dhjetëra bagëti në proces therjeje, si dhe një pjesë e tyre të therura. Gjithashtu, u gjetën dhjetëra matrikuj për bagëti, të dyshuara të falsifikuara.

Në vijim të kontrollit, shërbimet e Policisë dhe të AKU-së konstatuan një tubacion përmes të cilit mbetjet e therjes shkarkoheshin dhe hidheshin në lumin Vjosë, duke shkaktuar ndotje të mjedisit dhe të ujërave. AKU ndërhyri menjëherë duke bllokuar ambientin ku ushtrohej kjo veprimtari e paligjshme, nisi procedurat administrative përkatëse dhe ndëshkoi pronarin e ambientit me masë administrative 200 000 lekë të rinj.

Në përfundim të veprimeve, specialistët për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare arrestuan në flagrancë shtetasin A. L., 62 vjeç, banues në fshatin Qilarisht, Përmet, pronar i ambientit, për veprat penale “Fshehja e të ardhurave”, “Prodhimi i kundërligjshëm i artikujve dhe mallrave industriale dhe ushqimore”, “Falsifikimi i vulave, stampave ose formularëve” dhe “Ndotja e ujërave”. Gjithashtu, u proceduan penalisht shtetasit L. D., 54 vjeç, dhe Y. H., 66 vjeç, të dy banues në Përmet, me detyrë veterinerë, për veprën penale “Shpërdorimi i detyrës”, pasi dyshohet se nuk kanë ushtruar kontrollet dhe nuk kanë marrë masat që u ngarkon ligji për bagëtitë e 62-vjeçarit.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme. Policia e Shtetit mbetet e vendosur në misionin e saj për evidentimin dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme që dëmton mjedisin, cenon sigurinë ushqimore dhe rrezikon shëndetin e qytetarëve