81 karrige u vendosën buzë detit të Jonit në Vlorë me fjongo të zeza për të simbolizuar jetët e ndërprera të burrave grave e fëmijëve që i përpiu deti teksa nisën rrugëtimin drejt një jete më të mirë.

Në përkujtimin e tragjedisë së Otrantos 29 vite më parë, e pranishme ishte dhe ministrja e Shtetit për Marrëdhëniet me Parlamentin, njëkohësisht deputetja e qarkut Vlorë, Erjona Ismaili, e cila u përlot gjatë ceremonisë. Në fjalën e saj, ajo u shpreh se kjo tragjedi ka lënë një shenjë, që sado vite të kalojnë, nuk do të zhbëhet dhe as nuk do të zbehet.

“Falënderoj familjarët që më dhanë mundësinë t’i bashkohem dhimbjes së tyre, në këtë ceremoni përkujtimore për 81 viktimat e Tragjedisë së Otrantos. Unë kam qenë shumë e vogël atëherë, por besoj se për të gjithë, kjo tragjedi ka lenë një shenjë, që sado vite të kalojnë, nuk mund as të zhbëhet dhe as të zbehet. Kjo është një ngjarje që qytetit të Vlorës i dhemb, por mendoj se vetë harresa dhemb më shumë. Mendoj se ajo që ne mund të bëjmë sot dhe që besoj se ia kemi dalë është që të mos përsëriten më tragjedi të tilla”, tha ndër të tjera ministrja.